Partia Demokratike denoncon përmes zëdhënëses Ina Zhupa kryeministrin Edi Rama, që sipas selisë blu përdori presidentin Erdogan për të mashtruar me apartamentet e ndërtuar nga turqit në Laç.
PD denoncon se 3 javë nga ceremonia e kryeministrit Rama me presidentin turk Erdogan në Laç, asnjë prej banorëve nuk ka marrë çelësat e banesave të ndërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit.
Përmes një postimi në facebook, deputetja Ina Zhupa shkruan se Rama dhe Erdogan u dhanë çelësat 4 familjeve, sa për propagandë, pasi në kompleksin e pallatave të reja, nuk ka hyrë asnjë familje.
Deklarata
Gati 3 javë më parë, Edi Rama përdori presidentin e Turqisë për të mashtruar me apartamentet e ndërtuar nga turqit në Laç. Rama dhe Erdogan u dhanë çelësat 4 familjeve, por, në të vërtetë, ato ishin vetëm sa për propagandë.
Në kompleksin e pallatave të reja, nuk ka hyrë asnjë familje.
Gjithçka ishte një show, i vënë në skenë nga Edi Rama. Banorëve nuk u jep askush përgjigje pse nuk po futen akoma në shtëpitë e tyre. Sa më gjatë rrinë ata në shtëpi me qera, aq më i madh është dëmi që i shkaktohet buxhetit, duke paguar bonusin e qerave, ndërsa shtëpitë e reja kanë përfunduar së ndërtuari rreth 3 muaj më parë.
Qeveria dhe bashkia heshtin, duke sjellë vërdallë mbi 500 familje të Laçit, që po pengohen të hyjnë në shtepitë e tyre, të inauguruara 2 herë deri tani. Një herë nga Rama para Vitit të Ri, një herë nga Rama dhe Erdogan 3 javë më parë.