Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, për të përfshirë një periudhë 60-minutëshe debati jashtë rendit të ditës në seancën plenare që pritet të nisë sot, më 29 maj 2025, në orën 12:00.
Në një shkresë zyrtare, PD thekson se Urdhri nr. 16, datë 22.05.2025, i firmosur nga Spiropali, bie ndesh me nenin 45 të Rregullores së Kuvendit, i cili garanton të drejtën e deputetëve për të diskutuar për çështje që ata i konsiderojnë me interes publik, në fund të rendit të ditës.
“Në fund të rendit të ditës çdo deputet mund të diskutojë për çështje të ndryshme që ai i konsideron se duhen bërë publike në seancë plenare… Koha e përgjithshme për diskutimin e këtyre çështjeve nuk mund të jetë më shumë se 60 minuta”, – citohet në shkresën e PD-së, duke iu referuar rregullores.
Kërkesa për përfshirje në rendin e ditës
Në bazë të nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, PD kërkon ndryshimin e rendit të ditës dhe shtimin si pikë e tretë të saj:
• Diskutim jashtë rendit të ditës për 60 minuta.

Në përfundim të kërkesës, Grupi Parlamentar i PD-së apelon për respektimin e dispozitave të Rregullores, duke nënvizuar rëndësinë e garantimit të fjalës së lirë në Kuvend.






