Partia Demokratike ka vijuar sot me pyetjet për inceneratorët. Koordinatorja për Media dhe Komunikim në PD, Silvi Bardhi tha sot se inceneratorë nuk ka, si në rastin e Tiranës, dhe inceneratorët nuk punojnë, si në rastin e Elbasanit dhe Fierit, teksa numërimi vazhdon edhe me 80 mijë euro në ditë për Tiranën, shumë që del nga xhepat e taksapaguesve të kryeqytetit.
DEKLARATA E PLOTË
Qeveria Rama mburret me tre inceneratorë: Të Tiranës, Elbasanit, dhe Fierit.
Është një mburrje e kushtueshme, sepse kostoja e tyre ka kapur e kaluar 430 milionë eurot. Numërimi vazhdon edhe me 80 mijë euro në ditë për Tiranën, shumë që del nga xhepat e taksapaguesve të kryeqytetit.
Partia Demokratike, prej muajsh, ngulmon me fakte dhe prova, që pasqyrojnë një mega-aferë.
Incenerator nuk ka, si në rastin e Tiranës, dhe inceneratorët nuk punojnë, si në rastin e Elbasanit dhe Fierit.
Por, mos merrni fjalët tona për prova.
Shumë prej jush e shohin gjendjen e mjedisit, të grumbullimit të mbeturinave në rrugët, lagjet dhe qytetet e tyre.
Nëse jeni të pakënaqur, nëse jetoni në një rrugë, lagje apo qytet të papastër, si në Tiranë, Elbasan apo Fier, ka diçka që nuk shkon.
Janë ca pyetje që duhen bërë.
Ajo që nuk shkon është se, në të gjitha rastet, inceneratorët ose nuk janë, ose nuk punojnë dhe nuk djegin asgjë, veç milionave të xhepave të shqiptarëve.
Në të gjitha rastet, taksat tuaja shkojnë diku tjetër nëse nuk shkojnë për grumbullimin, përpunimin apo djegien e mbeturinave, gjë të cilën duhej ta bënin 430 milion eurot e incenerarorëve.
Bashkitë e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, kanë edhe një hile tjetër për t’i fshehur mbeturinat nga sytë e qytetarëve. Përdorin shtretërit e lumenjve si vend grumbullim apo vend derdhje hedhurinash.
Kjo është pjesë e papërgjegjshmërisë dhe vjedhjes së dyfishtë. Por edhe e talljes.
Një rast i tillë vjen nga Elbasani dhe lumi Shkumbin që përdoret nga bashkia e këtij qyteti si landfill.
Do të vijojmë me 5 pyetje sot për bashkinë e Elbasanit dhe për SPAK:
1. A funksionon inceneratori i Elbasanit?
2. Çfarë kapacitetesh ditore përpunon?
3. Nëse funksionon, siç pretendon bashkia dhe qeveria, pse mbetjet hidhen në Shkumbin?
4. Kur në dimër të fryhet Shkumbini, ku mendon kryetari i Bashkisë se përfundojnë këto mbetje?
5. Kush mban përgjegjësi ligjore kur paratë u merren taksapaguesve, mbetjet nuk procesohen, dhe mjedisi i ndotur vazhdon të kërcënojë jetën e banorëve?
Këto janë edhe fotot që pasqyrojnë të vërtetën në terren, në shtratin e Shkumbinit, afër fshatit Shirgjan. Ky është një shqetësim që na e kanë sjellë banorët e zonës.
Këto janë faktet, kjo është Shqipëria e lulëzuar e inceneRamës dhe inceneLlatjas.