Përplasjet brenda Partisë Demokratike në Durrës janë thelluar, pas përjashtimit nga Këshilli të Arlind Boshku, i cili ka reaguar ashpër përmes një postimi publik.
Në reagimin e tij, Boshku e cilëson vendimin si “absurd”, duke theksuar se arsyeja e përjashtimit lidhet me një takim me Ervin Salianji, ndërsa shton se e vërteta, sipas tij, është ndryshe.
“Dje morëm një vendim absurd: përjashtimin tonë nga Këshilli i PD-së. Arsyeja? Një drekë me Ervin Salianjin. E vërteta është tjetër,” – shprehet ai.
Boshku thekson se prej muajsh ka kërkuar reflektim për humbjet e njëpasnjëshme dhe vendosjen e meritokracisë brenda partisë, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, drejtohet Partia Demokratike.
“Kemi kërkuar diçka elementare: që anëtarët të vendosin për lidershipin, jo lidershipi të përzgjedhë anëtarët sipas interesit për të mbajtur peng partinë.”
Ai hedh akuza edhe për mungesë transparence financiare dhe për kërkesa për kontribute nga anëtarët, duke theksuar se partia nuk mund të trajtohet si “pronë private” apo “biznes”.
“Partia nuk mund të trajtohet si biznes privat dhe as si mjet për luksin e disa individëve,” – shprehet ai, duke shtuar se nuk do të pranojë heshtjen përballë, sipas tij, dështimeve dhe abuzimeve.
Në fund të reagimit, Boshku thekson se ai dhe mbështetësit e tij do të vijojnë të jenë pjesë e Partisë Demokratike dhe angazhimit politik në terren.






