9.5 C
Tiranë
Wednesday, November 27, 2024
spot_img

Përgjimet e shefes së Grupit Parlamentar që nxitën dhunë në Kuvendin e Kosovës

Kritikat pas publikimit të disa përgjimeve ku ishte përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, rritën tensionet në seancën e Kuvendin e Kosovës më 13 korrik, që kulmuan me përleshje fizike.

Kusari-Lila ka pranuar se ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Në të kaluarën Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar vazhdimisht personat që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiçin, që gjendet në listën e zezë amerikane, e kërkohet nga autoritetet gjyqësore të Kosovës. Përgjimet janë publikuar disa ditë më parë nga portali Nacionale.

Si nisën tensionet në Kuvend?

Në seancën plenare paraditen e 13 korrikut, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, iu ndërpre fjalimi. Ai po fliste për Radoiçiçin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej qeveria e tij.

“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi”, tha Kurti.

Më pas, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Mërgim Lushtaku, iu afrua foltores dhe e gjuajti me ujë Kurtin dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.

Në atë moment, në mbrojtje të të dyve doli ministri i Financave, Hekuran Murati, të cilin Lushtaku pastaj e shtyu fizikisht me duar. Bislimi goditi me shishen e tij me ujë deputetin Lushtaku, i cili më pas pati përplasje fizike edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në të njëjtën kohë, deputeti Hajdar Beqa, goditi ministrin Murati në fytyrë. Grushte u shkëmbyen mes të dyja palëve. Nga përleshja, Kurti, i rrethuar me sigurimin dhe ministrat e tij, u shty dhe u përplas në një nga ulëset e Kuvendit pranë foltores.

Policia e Kosovës, e thirrur nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit, ndërhynë për t’i ndalur përleshjet. Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.

Eliza Hoxha, e cila foli në emër të grupit parlamentar të PDK-së, bëri thirrje që Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet dhe vendi të shkojë “sa më shpejt” në zgjedhje, pasi tha se audio-incizimet “zbardhin komunikimin dhe raportet e pushtetit të Albin Kurtit me Listën Serbe dhe Milan Radoiçiçin”.

“Çfarë duhet të ndodhë më shumë për ta kuptuar që ju jeni të kapur nga krimineli që është në listën e zezë të Amerikës, që ka urdhërarrest nga Prokuroria. Nuk mjaftojnë as dorëheqja e as shkarkimi sepse koordinimin e keni të përditshëm me Radoiçiçin, e jo me shqiptarët e as me ndërkombëtarët”, tha Hoxha gjatë fjalimit të saj në Kuvend.

Radoiçiç është në listën e zezë amerikane për “përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar”. Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.

Radoiçiç përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiçin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim.

Pas përleshjeve fizike në Kuvend, Konjufca thirri pauzë prej dy orësh, duke argumentuar se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës.

“Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është me të vërtetë e papranueshme, përdorimi i dhunës është edhe i ndëshkueshëm, i dënueshëm nga të gjithë ne”, tha Konjufca duke shtuar se “nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës, ai do të trajtohet prej ligjit, ashtu siç thonë ligjet tona dhe organet e rendit”.

Gjatë pauzës, në hollin e Kuvendit të Kosovës, Lushtaku tha se veprimi i tij ishte aksion politik dhe nuk kishte për synim të degradonte në dhunë. Ai paralajmëroi padi ndaj Bislimit, Muratit dhe Haxhiut, të cilët tha se e sulmuan.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më pas njoftoi se ka nisur hetimet për veprën penale “Sulmi” lidhur me përleshjet në Kuvend dhe do të ftojë për t’iu marrë deklaratë të gjitha palët e përfshira.

Seanca e jashtëzakonshme

Pas rreth 3 orësh pauzë, deputetët rinisën seancën e lënë përgjysmë, por vetëm për një kohë të shkurtër, pasi kryetari i Kuvendit Konjufca, njoftoi se 41 deputetë kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme, për të shqyrtuar disa pika, përfshirë Projektligjin për produktet medicinale.

Mbajtja e seancës së jashtëzakonshme u kundërshtua nga deputetët e PDK-së dhe AAK-së, që bllokuan foltoren e Kuvendit. Mes deputetëve të opozitës dhe atyre në pushtet pati edhe shtyrje, teksa mbrojtja e afërt e kryeministri u pa në sallën plenare.

LDK-ja u distancua nga dhuna dhe kërkoi që seanca të ndërpritej. Kjo kërkesë u bë edhe nga dy partitë e tjera opozitare.

Por, mes tensionesh, seanca e jashtëzakonshme vazhdoi, teksa para foltores së Kuvendit u vendosën pano ku shkruhej “Zdravo” [‘Përshëndetje’ në gjuhën serbe] me portretin e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, dhe atë të kryeminstrit Albin Kurti.

Situata u qetësua në sallën plenare dhe deputetët opozitarë u larguan nga foltorja, vetëm pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, u largua nga seanca.

Deputetja Eliza Hoxha, tha se me plotësimin e “kushtit” të opozitës që Bislimi të largohej, seanca mund të vazhdojë. Disa minuta pas kësaj, kryeparlamentari Konjufca njoftoi se përfundoi seanca e jashtëzakonshme dhe tha se organi ligjvënës i kthehet punimeve të seancës fillestare – që u ndërpre për shkak të përleshjeve fizike.

Pas këtij njoftimi, deputetët opozitarë u larguan dhe ata në pushtet vazhduan të shqyrtonin pikat e mbetura në rendin e ditës.

Reagimet pas dhunës në Kuvend

Dhuna në Kuvend është dënuar nga politikanë vendorë dhe ndërkombëtarë si dhe nga shoqëria civile. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kundërshtoi përdorimin e dhunës si mjet për të adresuar mospajtimet politike.

“Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, shkroi ajo në Facebook.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se në çdo demokraci ka dallime të forta, por “dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit” e jo dhunës.

“Është për të ardhur keq ajo çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë: dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, shkroi Hovenier në Twitter.

Ndërkaq, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i cilësoi deputetët e PDK-së “si një bandë rrugaçësh” dhe shtoi se “ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues”.

Dhuna në Kuvend u dënua edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ky institut i quajti përleshjet në Kuvendin e Kosovës “rezultat i një klime joparlamentare”.

KDI bëri thirrje që të gjitha partitë politike dhe deputetët të distancohen nga “kjo klimë dhune”

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT