Nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e AKSHI-t, duke e cilësuar institucionin si një histori suksesi dhe një nga shtyllat e transformimit digjital në vend.
Kreu i qeverisë doli në mbrojtje të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet në arrest shtëpie, si dhe të punonjësve të institucionit, për të cilët tha se kanë punuar “orar pa orar”. Rama theksoi se ka pasur ngutje në vendimmarrjen për arrestimin e saj.
“Nuk dua të them asgjë për çështjen, por ky shtet nuk mund të jetë një vend ku një institucion krenarie të bëhet shesh për të mbytur psikologjikisht inxhinierët që punonin pa orar. Nuk them që nuk duhet hetuar, përkundrazi. Njerëzit kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm dhe të hetohen si të tillë,” u shpreh ai.
Rama ngriti pikëpyetje mbi pasojat e masave të sigurisë ndaj zyrtarëve publikë, duke përmendur edhe rastin e drejtorit të KESH-it, që sipas tij ndodhet prej muajsh në arrest shtëpie.
“Po sikur Linda të jetë krejt e pafajshme? Ç’fiton shteti dhe çfarë mesazhi marrin ata që duan të kontribuojnë për këtë shtet? Po sikur e njëjta gjë të jetë e vërtetë për 55 për qind të atyre që janë në burgje dhe nuk u është bërë gjyqi?” deklaroi Rama, duke kërkuar reflektim mbi përdorimin e masave të sigurisë dhe efektet e tyre.






