Autoritetet policore greke kanë nisur kërkimet për arrestimin e një 64-vjeçari shqiptar, i identifikuar si Mark Preci, i dyshuar për sulm seksual ndaj një 25-vjeçareje me aftësi të kufizuara në zonën e Kypselit, Athinë.
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur të dielën në mëngjes, kur i dyshuari ka hyrë në banesën ku jetojnë dy motra binjake me aftësi të kufizuara, ndërsa nëna e tyre mungonte për disa minuta. Nëna ka deklaruar se, kur u kthye nga farmacia, e gjeti 64-vjeçarin duke ngacmuar njërën prej vajzave, ndërsa motra tjetër dyshohet se është dhunuar fizikisht.
Sipas dëshmisë së saj, ajo ka ndërhyrë menjëherë për të ndaluar situatën, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendngjarja. Incidenti, sipas mediave greke, është filmuar nga kamera sigurie, të cilat tregojnë lëvizjet e autorit pak minuta para ngjarjes.
Rasti ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitet, ndërsa policia greke vijon operacionin për kapjen e të dyshuarit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vijim.






