5.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Presidenti Ilir Meta në Itali në përkujtim të Anselmo Lorecchios: Do shtojmë nismat konkrete për mbrojtjen e gjuhës arbëreshe!

Presidenti i Republikës Ilir Meta, mori pjesë dhe përshëndeti konferencën përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së rilindasit të shquar arbëresh Anselmo Lorecchios, që u mbajt në Pallagorio.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se do shtojmë nismat konkrete për mbrojtjen e gjuhës arbëreshe, duke dyfishuar përpjekjet tona për regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe në UNESCO.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm, ku merrnin pjesë autoritete të larta vendore dhe rajonale, akademikë, studiues, diplomatë e intelektualë, Presidenti i Republikës nderoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” avokatin, politikanin, diplomatin, poetin dhe shkrimtarin, aktivistin e palodhur të Rilindjes Kombëtare shqiptare si dhe mbështetësin e luftëtarin e paepur për pavarësinë e Shqipërisë, Anselmo Lorecchio (pas vdekjes):

“Me vlerësim të lartë ndaj kontributit të jashtëzakonshëm në shërbim të çështjes shqiptare si dhe ndaj përpjekjeve të palodhura në angazhimin për ndërgjegjësimin e publikut italian dhe atij europian ndaj mbrojtjes së interesave shqiptare gjatë momenteve kritike të historisë sonë kombëtare. Me mirënjohje shtetërore për punën e palodhur politike e diplomatike si një zë i fuqishëm e i vazhdueshëm në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë”.

FJALA E PRESIDENTIT META

“Kënaqësi të marr pjesë në këtë konferencë kushtuar Anselmo Lorecchios, këtij personaliteti të spikatur të kulturës dhe historisë arbëreshe, por edhe kombëtare.

Anselmo Lorecchio ishte një figurë e gjithanshme dhe shumë dimensionale, si gazetar, jurist, poet dhe shkrimtar, dhe së bashku me figura të tjera të mëdha arbëreshe si Jeronim De Radën, Zef Skiroi, ishte një prej zërave më të njohur të Lëvizjes Kombëtare shqiptare.

Ai, ishte një prej nismëtareve të gjuhës shqipe në Itali dhe shkruajti disa vepra të rëndësishme si ‘Çështja Shqiptare’, ‘Mendimi Politik Shqiptar në Raport me Interesat Italiane’, ‘Memorandumi dhe Shqipëria’, etj.

Lorecchio i shërbeu çështjes shqiptare si kryetar i ‘Shoqërisë Kombëtare Shqiptare’ dhe drejtoi gazetën periodike ‘La Nazione Albanese’, një organ politik, letrar, kulturor në gjuhën italiane, që botohej me moton: ‘Shqipëri përpara!’.

Ai i kushtoi jetën e tij çështjes shqiptare dhe çlirimit të Shqipërisë dhe gjithmonë ishte i lidhur shpirtërisht me atdheun e të parëve.

Në vitin 1912, vetëm disa ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, babai i themelimit të shtetit shqiptar e falënderoi personalisht Lorecchio-n duke thënë: ‘Dëshirat tuaja për përmbushjen e idealeve tona të përbashkëta janë shumë të mirëpritura. Ne jemi të sigurt për simpatinë dhe mbështetjen e ngrohtë të të gjithë shqiptarëve të Italisë. Vepra juaj si luftëtar i vjetër do të vlerësohet denjësisht nga Shqipëria e lirë’.

Po kështu më dhjetor 1920, Lorecchio mori një letër nga kreu i delegacionit shqiptar në ‘Lidhjen e Kombeve’, Fan S. Noli, një ndër figurat më të mëdha patriotike të Shqipërisë, i cili falënderonte Lorecchio-n për punën e tij.

Prej gjysmës së parë të shekullit të 19-të, projekti i parë i Rilindjes Shqiptare, një projekt thellësisht europian, u formulua nga figurat e komunitetit arbëresh.

Ndaj ne, ju jemi shumë mirënjohës këtyre figurave si Jeronim De Rada, Gavril Dara, Zef Serembe dhe Anselmo Lorecchio, të cilët ndihmuan finalizimin e zgjimit të popullit shqiptar dhe pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria osmane.

Ne u jemi shumë mirënjohës arbëreshëve tanë, pasardhësve të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që prej gati 6 shekujsh ruajtën historinë, traditën, ritet, kulturën dhe figurën e lavdishme të heroit tonë kombëtar, që na frymëzoi edhe për liri dhe pavarësi.

Një mirënjohjen të thellë për Profesor Altimarin, për punën e jashtëzakonshme që ai ka bërë dhe vazhdon të bëjë, jo vetëm për kultivimin e gjuhës shqipe në Itali, në katedrën e Studimeve Albanologjike në Universitetin e Kalabrisë, Kozencës, por edhe të gjithë studiuesit arbëreshë të cilët vazhdojnë në misionin e tyre kombëtar dhe akademik, për të mbajtur gjallë kulturën dhe gjuhën arbëreshe, e cila, rrezikon të zhduket, nëse nuk punojmë fortë për ta ruajtur atë.

Ndaj, do shtojmë nismat konkrete për mbrojtjen e gjuhës arbëreshe, duke dyfishuar përpjekjet tona për regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe në UNESCO.

Edhe rivlerësimi i një personaliteti kaq të madh si Anselmo Lorecchio, na ndihmon të kuptojmë më mirë të shkuarën dhe të punojmë më mirë dhe me frymëzim për të ardhmen, si dhe për të forcuar më tej miqësinë e jashtëzakonshme mes dy vendeve tona: Shqipërisë dhe Italisë.

Dëshiroj ta mbyll fjalën time përshëndetëse, me disa vargje të Anselmo Lorecchios nga poezia e tij ‘Vogëlushi italo-shqiptar’ (Il fanciullo Italo-Albanese), e vitit. 1897.

“Bella Italia, ci hai dato le case,

cittadini ci hai fatto e tuoi figli

e noi grati, partiam nei perigli

Albania ed Italia nel cor!

(E bukura Itali, na ke dhënë shtëpitë,

na bëtë qytetarë dhe fëmijët tuaj dhe ne mirënjohës,

le të shkojmë në rrezik

Shqipëria dhe Italia në zemër!)

Duke u bashkuar me apelin e Profesor Altimari, jemi këtu për të dhënë një vlerësim të këtij personaliteti të madh, dhe besoj që edhe 100-vjetori do t’ia arrijë më mirë qëllimit që kemi përpara, duke organizuar evenimente të rëndësishme jo vetëm në Kalabri dhe Itali, por padyshim edhe në Shqipëri.

Ndaj sot, përveç angazhimit për të vazhduar impenjimin tim për lartësimin e kësaj figure në Shqipëri, pasi edhe studiues shqiptarë kanë qenë dhe janë në mbështetje të plotë të ridimensionimi të tij, kam nderin të vlerësoj, për kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë për çështjen e interesave shqiptare dhe ta vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

E përjetshme vepra dhe kujtimi i Anselmo Lorecchio!”

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT