Edhe pse sistemi i self-care për bizneset, i menaxhuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), filloi të funksionojë që nga pasditja e djeshme, përdoruesit raportojnë ende vështirësi në përdorim.
Sipas biznesve dhe profesionistëve, problemet më të shpeshta lidhen me shkarkimin e faturave dhe aksesin në platformë. “Nuk shkarkoj dot asnjë faturë, akoma nuk punon tamam”, thotë I.K., një ekonomiste.
Një përdorues tjetër shprehet se përpjekjet për të aksesuar shërbimet shpesh dështojnë: “Nuk punon ende, duhet ta tentosh 20 herë dhe sërish del mesazhi ‘ju lutem kontaktoni administratorin’”.
AKSHI ka konfirmuar për mediat se sistemi është funksional, por situata tregon se subjekte të ndryshme po përballen me probleme të përkohshme në përdorim, duke kërkuar ndërhyrje për përmirësim të menjëhershëm.






