0.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Publikohen përgjigjet e Ilir Metës për 72 pyetjet e Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i vendit Ilir Meta ka publikuar 72 përgjigjet që ka dorëzuar dje në Kushtetuese, mbi pyetjet e vetë gjyqtarëve në lidhje me qëndrimet që ai ka mbajtur, para dhe gjatë zgjedhjeve të 25 Prillit.

Meta pretendon në përgjigjet e tij kundrejt Gjykatës Kushtetuese, se Kuvendi ka falsifikuar dokumentet për ngritjen e Komisionit Hetimor.

Sipas presidentit, mbledhja e provave është bërë në mënyrë joligjore.

Në një nga përgjigjet e Metës, për pyetjet e Kushteyueses thuhet se Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, nuk ka asnjë tagër që të zëvendësojë, të përfaqësojë, apo të konfirmojë vullnetin e trupës së deputetëve që mori vendimin nr. 55/2021, në Legjislaturën IX-të.

Kreu i shtetit ka dhënë llogari dhe për arsyet që e ccuan të mos merrte pjesë në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij.

Ju keni refuzuar të merrni pjesë në seancën hetimore, duke pretenduar se keni pasur takime të programuara zyrtarisht me përfaqësues të lartë të vendeve të tjera. A ka ndodhur në praktikën tuaj që të ndryshoni takimet kur e kanë kërkuar rrethanat? A ka qenë ky shkak për mosparaqitjen tuaj në seancat dëgjimore të zhvilluara nga komisioni hetimor dhe Kuvendi?

Përgjigje: Pyetja nuk është korrekte. Presidenti më së pari, asnjëherë nuk ka refuzuar takimin, madje ka kërkuar të dëgjohet nga Komisioni për çështjet ligjore, që nuk zhvillon seancë hetimore, siç ju referoni në pyetjen tuaj. Lutemi t`i referoheni shkresave të datës 5 dhe 6 maj 2021, të Institucionit të Presidentit, ku ka shprehur gatishmërinë për t`u takuar, diskutuar dhe t`u dëgjuar në Komisionin për çështjet ligjore në datën 10 maj 2021, e duke kërkuar caktimin dhe të orës së takimit.

Për më shumë, referojuni shkresave të Presidentit të Republikës nr. 1520/2 Prot., datë 5.5.2021 dhe nr. 1533/2 prot., datë 06.05.2021, dhe qëndrimeve të dorëzuara nga Presidenti i Republikës që në datën 1 korrik 2021 (faqe 88 e në vijim). Komisioni për çështjet ligjore, në funksion të urdhrit politik, komunikoi në mënyrë ultimative me Presidentin e Republikës, duke i kërkuar që për një çështje kaq të gjerë dhe të madhe, të paraqitej në më pak se 20 orë.

Një tjetër shkak i pretenduar për refuzimin e paraqitjes suaj në seancat dëgjimore është edhe mungesa e legjitimitetit të strukturave përkatëse të Kuvendit. Ku mbështetet mosnjohja e legjitimitetit të komisionit hetimor, si organ i pushtetit ligjvënës i ngritur sipas ligjit?

Përgjigje: Mungesa e legjitimitetit e strukturave hetimore të ngritura në Kuvend, ka qenë flagrante dhe është dokumentuar gjerësisht me prova shkresore, dhe në mënyrë të plotë në qëndrimin e Presidentit të Republikës depozituar që prej datës 1 korrik 2021, përpos parashtrimeve të tjera, trajtohen edhe më thellësisht në faqen 110 e në vijim, të tyre.

Jepni argumente të zgjeruara për pretendimin se veprimtaria e komisionit hetimor duhet të kryhet para mbarimit të afatit të mandatit të Kuvendit, përndryshe komisioni humbet legjitimitetin.

Përgjigje: Argumentet mbi këtë çështje janë të mbështetura në dokumente dhe të trajtuara gjerësisht me prova shkresore, dhe në mënyrë të plotë në qëndrimin e Presidentit të Republikës depozituar që prej datës 1 korrik 2021, në faqen 88, deri në faqen 130, të tij.

Pse mendoni se ngritja e komisionit hetimor nuk përputhet me funksionin dhe qëllimet e kontrollit parlamentar të parashikuar në nenin 77 të Kushtetutës?

Përgjigje: Komisioni hetimor i cili funksionon duke dhunuar Rregulloren e Kuvendit në çdo pikë të vetën, i cili shkel procedurat në funksion të urdhërimit politik, dhe shkel Kushtetutën, që në nenin 77, pika 3, përcakton qartë se: “3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj”, nuk ka më asnjë diskutim se, ky komision u ngrit dhe funksionoi në mënyrë antikushtetuese. 8 Për më shumë, referojuni qëndrimit të Presidentit të Republikës depozituar që prej datës 1 korrik 2021, në faqen 118, e në vijim të tij. Komisioni hetimor nuk mund të ngrihej kurrsesi, pasi nuk ekzistonte asnjë shkelje e Kushtetutës, por thjesht dhe vetëm pretendime propagandistike të mazhorancës në Kuvend.

Si ka ndërhyrë Kuvendi nëpërmjet komisionit në kompetencat e Presidentit?

Përgjigje: Referojuni qëndrimit të Presidentit të Republikës depozituar që prej datës 1 korrik 2021, në faqen 130- 140, si dhe përgjigjes së dhënë për pyetjen e parë të Kryetares së Gjykatës, znj. Tusha.

Si e mbështesni pretendimin se komisioni nuk mund të ngrihej pasi i mungonte objekti?

Përgjigje: Komisioni nuk kishte materie për të hetuar, por kishte vetëm objektiva dhe qëllime politike, për të vënë nën presion dhe shantazh, si dhe për të imponuar vullnetin e tij në veprimtarinë e Presidentit të Republikës. Kësisoj, vetë Komisioni e gjithë veprimtaria e tij u ngrit e u zhvillua mbi një shkelje flagrante në drejtim të raportit të pavarësisë së plotë të funksionimit të institucioneve në shtetin shqiptar.

Në lidhje me deklaratat e tij të forta të bëra para zgjedhjeve, për ata që do të preknin votat, Meta ka thënë se qëndrimi i tij është influencuar nga përmendja e emrit të presidentit nga kryeministri Edi Rama në fushatë.

Shprehje të tilla si “ditën e votimeve t’i mprehin sfurqet”, “Lidheni të Marrin”, “regjimit të dhunës edhe tri ditë dhe i vjen fundi përgjithmonë”, “Presidenti, gati për të firmosur dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e shqiptarëve! Vdekje tradhtarëve!”, “një pikë gjaku të derdhet nesër, por edhe një pikë loti, mjerë ju!”, “ndëshkoni pa mëshirë më 25 prill këdo që ju bën presion me votën, këdo që tenton t’ju blejë votën, këdo që ju ka mashtruar”, “Një votë po u prek, do pritet një dorë”, apo shprehja “të fus në burg”, çfarë qëllimi kanë pasur, duke konsideruar rolin e Presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit, si organ super partes dhe moderues i tre pushteteve të tjera?

Përgjigje: Kjo pyetje mund të jetë e influencuar nga pasojat e propagandës toksike publike të partisë në pushtet, e cila vijon pandërprerë sulmin ndaj Kreut të Shtetit. Metaforat, epitetet, alegoritë, dhe figurat e tjera letrare, do të ishin objekt interesant debati për gjuhëtarët dhe filologët, por jo për Gjykatën Kushtetuese. Por në funksion të respektit dhe transparencës me qytetarët shqiptarë, ju kujtoj se fushata e 25 prillit 2021, u tensionua në nivele ekstreme për shkak të aktorëve politikë, duke kulmuar edhe me humbje jete (si ngjarja e Elbasanit), sulme të armatosura (si rasti i Kavajës), e dhjetra ngjarje të tjera deri në situatat shumë të rënda provokative (si ngjarjet e Fierit).

Në një situatë kaq të rëndë, e cila po përshkallëzohej dita- ditës, ishte vetëm Presidenti i Republikës, i cili mbajti qëndrime të vazhdueshme e të njëpasnjëshme, për të dekurajuar këtë përshkallëzim dhe strategji tensioni, si dhe për të vënë në lëvizje institucionet që të vepronin sa më parë me qëllim kryesor parandalimin e pasojave dhe/apo ngjarjeve të tjera të rënda. 23 Edhe në provokimin e shëmtuar të Fierit, të nxitur nga veprimet e paligjshme e provokative të Bashkisë së Fierit dhe përfaqësuesve të mazhorancës, Presidenti u kërkoi publikisht kandidatëve të një force politike (LSI) të mos binin pré e provokimeve të partisë në pushtet, dhe ta tejkalonin atë situatë me urtësi.

Deklaratat dhe denoncimet publike dhe shkresore të Presidentit të Republikës, kanë qenë plotësisht në proporcion të drejtë me situatën shumë të rëndë parazgjedhore, dhe në funksion të parandalimit të përshkallëzimit dhe daljes jashtë kontrollit të saj. Keqkuptimi i qëllimshëm, apo dhe pa dashje, i qëndrimeve të Presidentit të Republikës vjen nga zhvendosja e qëllimshme e termave të caktuar nga konteksti i plotë i ngjarjes dhe i rrethanave. Në mënyrë të veçantë, ajo vjen nga ngatërrimi i qëllimshëm i “kushtores” me “kushtrimin”.

Mjafton të harrohet, apo të hiqet një “nëse”, dhe gjithçka ndryshon si nata me ditën. Termi “sfurqet” është përdorur në Fier, gjatë një konflikti konkret, duke iu referuar një konflikti që Presidenti i Republikës dikur e ka përjetuar personalisht në Libofshë të Fierit gjatë viti 1994, kur policia dhe banditët u bënë njësh për të dhunuar zgjedhjet, dhe kur gratë e Libofshës u detyruan të rrëmbenin sfurqet për të mbrojtur dinjitetin e tyre dhe të komunitetit ku jetonin.

Presidenti i Republikës në këtë deklaratë, i ka përmendur “sfurqet” si mjete pune të banorëve të zonës. Është e pakuptueshme se përse duhet të shqetësohej mazhoranca për përmendjen e “sfurqeve”, nëse vërtet nuk synonte të prekte votën e qytetarëve ditën e zgjedhjeve.

Kushdo që do të donte ta shikonte Presidentin pasiv përpara një situate ku proceset zgjedhore përgjaken nga humbja e jetës së njerëzve, për shkak të presionit të partisë në pushtet por dhe mosveprimit të institucioneve ligjzbatuese, do të thotë që kërkon t`i shërbejë pushtetit të dhunës, dhe jo shtetit ku respektohen liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Kushdo që do të donte ta shikonte Presidentin e Republikës pasiv përpara shpërdorimit të parave publike nga ana e qeverisë për blerjen e votës dhe shantazhimin e qytetarëve e nëpunësve të administratës për votën e tyre, do të thotë që është pro instalimit të diktaturës një partiake dhe varrosjes de facto të pluralizmit në Shqipëri.

Kushdo që do të donte ta shikonte Presidentin e Republikës pasiv përpara kësaj situate, dëshiron që të legjitimohet cenimi dhe asgjësimi i të drejtës kushtetuese për të zgjedhur dhe për t`u zgjedhur, bazë për ndërtimin e shtetit demokratik, themeli i të cilit është vota e lirë, e barabartë, dhe e pandikuar. 24 Aq më tepër kur vendi futet në udhëkryqe tepër të rrezikshme për të tashmen dhe të ardhmen e tij. Shembujt nuk mungojnë.

Është i njohur edhe këtu reagimi i Presidentit Rumun, zoti Klaus Iohannis7 , të një vendi anëtar të NATO-s dhe vendi anëtar të BE-së. Presidenti Iohannis, iu bashkua protestës së qindra mijëra qytetarëve rumunë, që protestonin për një ligj që lidhej me konfliktin e interesit, dhe ai e deklaroi publikisht përpara protestuesve se veprimi i qeverisë, ishte fillimi i një grushti shteti.

E mbajnë mend gjithë qytetarët shqiptarë se ligje si ai për të cilin protestoi Presidenti i Rumanisë, miratoheshin çdo seancë në Kuvendin tonë një partiak, sipas listës së 56 ligjeve që ia kemi vënë në dispozicion Gjykatës. Foto nga prania e Presidentit Klaus Iohannis në shesh me protestuesit Ky presion publik detyroi qeverinë rumune të kohës të tërhiqte ligjin, dhe askush nuk guxoi ta akuzonte Presidentin Klaus Iohannis, apo ta hetonte për këtë sjellje.

Ky rast demonstroi se kur interesi publik vihet në rrezik, çdo reagim i fortë i Presidentit është një garanci, një mundësi dhe një shpresë, për mbrojtjen e unitetit të shtetit dhe garantimin e interesave të qytetarëve të vendit. Ndërkohë që në Shqipëri, Presidenti i Republikës, është përballur me një situatë shumë herë më të rëndë se kaq, sepse sulmohej drejtpërsëdrejti Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese, shteti i së drejtës, interesi publik, sistemi i drejtësisë në tërësi, dhe ndarja, pavarësia dhe balanca ndërmjet pushteteve.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT