Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Nemanja Staroviç, ka njoftuar se disa nga masat e miratuara nga Qeveria serbe më 14 shtator, të cilat synojnë të ndihmojnë serbët në Kosovë, do të fillojnë të zbatohen në fillim të nëntorit.
“Ne kemi kërkesa të qarta që ia kemi adresuar komunitetit ndërkombëtar, të cilat janë të bazuara dhe të shpjeguara, që kërkojnë kthimin në ‘status quo-në’, para se [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti të prishte dhe të rrëzonte Marrëveshjen e Brukselit duke zbatuar masat e tij të njëanshme,” tha Staroviç për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).
Tensionet e reja mes Kosovës dhe Serbisë janë intensifikuar pas mbylljes së disa institucioneve paralele serbe nga autoritetet në Kosovë. Këto institucione janë cilësuar nga Kosova si jokushtetuese dhe të paligjshme. Beogradi i ka konsideruar këto veprime si “akte kriminale” që synojnë “dëbimin e serbëve”.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kritikuar veprimet e Kosovës për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe më 30 gusht, duke i cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara. Qeveria e Kosovës, nga ana e saj, ka deklaruar se këto veprime synojnë vetëm të shtrijnë sovranitetin në gjithë territorin e shtetit.
Paketë e masave të miratuara nga Qeveria serbe përfshin aspekte politike, juridike dhe socio-ekonomike. Staroviç për RTS-në ka thënë se paketa përfshin ndihmë prej 20,000 dinarësh (rreth 170 euro) për 5,000 persona ose familje në Kosovë në kushte të rënda ekonomike, si dhe 60,000 dinarë (rreth 500 euro) për 300 persona të papunë.
Të gjithë nxënësit serbë në Kosovë do të marrin tekste shkollore pa pagesë dhe do të përfitojnë ndihma ushqimore. Gjithashtu, planifikohen ndihma për ndërtimin e dy çerdheve të reja dhe rinovimin e disa çerdhesh, sallave sportive dhe fushave të sportit.
Masat e tjera përfshijnë punësimin e 100 punëtorëve shëndetësorë, investime në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicë të Veriut, si dhe subvencione për bizneset e vogla dhe të mesme dhe për fermerët. Disa nga këto masa do të fillojnë të zbatohen në fillim të nëntorit, disa në dhjetor, ndërsa të tjera priten të fillojnë më 1 janar 2025.