Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka deklaruar se perceptimi i ndërkombëtarëve për Shqipërinë dhe qeverinë ka nisur të ndryshojë, duke theksuar se “maska e kryeministrit artist ka rënë”.
Në një intervistë për emisionin “A Show” në Syri Tv, Vokshi u ndal te takimet që përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës zhvilluan në Kryesinë e Kuvendit, duke theksuar se misioni i tyre ishte të vlerësonin progresin dhe regresin e vendit.
Sipas saj, në të gjitha fushat Shqipëria ka bërë hapa pas, ndërsa theksoi se ndërkombëtarët po e kuptojnë gjithnjë e më shumë realitetin politik në vend.
“Është rrëzuar propaganda. Nuk e shohin më Ramën si kryeministër artist modern, por po shohin kush është në të vërtetë”, u shpreh Vokshi.
Ajo shtoi se mungesa e progresit në integrimin europian është evidente, duke përmendur edhe mosmiratimin e raportit të ndërmjetëm IBAR, që sipas saj pengon hapjen e kapitujve të rinj të negociatave.
Vokshi ngriti akuza të forta ndaj qeverisë, duke pretenduar se opozita ka vënë në dispozicion prova për lidhje me grupe kriminale dhe trafik droge.
“Ndërkombëtarët kanë nisur të studiojnë edhe fenomenin e patronazhimit. Është e vështirë për t’u shpjeguar, por shumë shqetësues. Është më keq se sigurimi i shtetit në kohën e Enver Hoxhës”, deklaroi ajo.
Deputetja demokrate komentoi edhe zhvillimet brenda mazhorancës, duke u ndalur te raportet mes figurave të rëndësishme politike dhe konfliktet e brendshme, të cilat sipas saj tregojnë tensionet në rritje në radhët e Partisë Socialiste.
Në përfundim, Vokshi theksoi se sipas saj, ndërkombëtarët po kuptojnë gjithnjë e më qartë situatën në Shqipëri, ndërsa akuzoi kryeministrin për “pakt me krimin dhe bandat e karteleve të drogës”.






