Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Miçigan, gjatë të cilit vlerësoi rolin dhe kontributin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vizita në Miçigan ishte ndalesa e parë e agjendës së kryeministrit Rama në SHBA, përpara vijimit të angazhimeve të tij në Nju-Jork.
Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe delegacioni zyrtar shqiptar, po zhvillon një vizitë disaditore në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Gjatë qëndrimit në Nju-Jork, kryeministri pritet të marrë pjesë në hapjen e Debatit të Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku do t’u drejtohet të pranishmëve me një fjalim.
Agjenda e vizitës përfshin gjithashtu pjesëmarrjen në pritje zyrtare, aktivitete të nivelit të lartë dhe takime me përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe organizatave ndërkombëtare.





