Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Partia Socialiste është organizmi ku kryhen operacionet kundër korrupsionit, duke theksuar se ky proces përfshin pastrimin e “tumoreve” brenda pushtetit, por mund të ketë edhe “aksidente”.
Gjatë një deklarate, ai nënvizoi se me reformën në drejtësi, pushteti politik i ka dorëzuar “shpatën” institucioneve të reja të drejtësisë.
Edi Rama:
“Shpatën e ka pasur pushteti politik. Ne këtë shpatë, me reformën në drejtësi, ia dorëzuam zonjës. Në momentin që ke dorëzuar shpatën, nuk mund t’i thuash më ‘ti do ta përdorësh ku të të them unë’. Vetëm injorantët dhe lagësirat e kënetës mund ta interpretojnë kështu, por nuk funksionon kështu. Kur e ke dorëzuar me firmë dhe vulë, i ke thënë ‘merre shpatën, është e jotja’. Dhe kur i ke dhënë shpatën, i ke hapur sytë që të shohë edhe qafën tënde, sepse shpata është për t’u përdorur, jo për t’u mbajtur në dollap.”
Ai shtoi se ky proces është i dhimbshëm dhe stresues, por i domosdoshëm.
“PS është bërë organizmi mbi të cilin bëhen edhe operacionet kundër korrupsionit. Sigurisht, ka në organizmin e përgjithshëm të pushtetit edhe tumore për t’u pastruar. Por ndodhin edhe aksidente në këtë proces, sepse është një praktikë e re dhe natyrisht që është e dhimbshme, e rëndë, stresuese të përjetosh gjëra që nuk është e vështirë të kuptosh që janë gabim, por duhet të mbash qëndrimin e duhur.”
Rama theksoi se procesi i reformës është i pakthyeshëm dhe se qeveria e tij ka qëndruar e vendosur në respektimin e drejtësisë, pavarësisht sfidave që ka sjellë kjo qasje.






