Kryeministri Edi Rama u shpreh dje në eventin Matchmarket Albania se Shqipëria nuk ka më shumë korrupsion sesa vendet e tjera të Europës, duke kundërshtuar perceptimet negative që shpesh qarkullojnë për vendin. Ai theksoi se rritja e investimeve dhe zhvillimi ekonomik janë dëshmi konkrete të përparimit.
“Kur flitet për Shqipërinë, shpesh bien pre e stereotipeve si korrupsioni e krimi i organizuar. Por kjo nuk është Shqipëria,” u shpreh Rama, duke përmendur se vetëm sektori i turizmit ka tërhequr rreth 1.6 miliardë euro investime të huaja dhe ka arritur 12 milionë turistë në vit.
Kryeministri shtoi se objektivat kryesore të qeverisë përfshijnë rritjen e eksporteve në 1 miliard euro dhe arritjen e sovranitetit energjetik deri në fund të dekadës, përmes diversifikimit të burimeve dhe inovacionit. Rama po ashtu nënvizoi rëndësinë e ekonomisë digjitale, duke përmendur krijimin e një ministrie virtuale të Inteligjencës Artificiale, si dhe zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë inteligjente si shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik.
“Ne nuk kemi më shumë korrupsion se çdo vend tjetër. Fokusi ynë është te zhvillimi, punësimi dhe përmirësimi i kushteve për qytetarët,” theksoi kryeministri, duke sfiduar perceptimet negative dhe duke kërkuar që vëmendja të përqendrohet tek arritjet konkrete dhe projektet e ardhshme të qeverisë.
Në fjalën e tij, Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e inovacionit dhe teknologjisë në sektorë kyç të ekonomisë dhe vizionin për një Shqipëri më të qëndrueshme dhe më konkurruese në rajon.






