Raphinha ka mbajtur fjalimin e tij të parë si kapiten i Barcelonës, duke iu drejtuar tifozëve në Camp Nou përpara ndeshjes së Trofeut Joan Gamper ndaj Al Ahlyt.
Trajneri Hansi Flick e ka caktuar brazilianin si kapiten të parë të përkohshëm, së bashku me Eric Garcían dhe Pedrin, deri në përfundimin e formimit të skuadrës dhe votimit përfundimtar.
Raphinha e nisi fjalimin me një mesazh mbështetjeje për Roony Bardghjin, i cili po kalon një periudhë të vështirë pas dëmtimit.
“Dua fillimisht t’i uroj shërim të shpejtë Roony-t. Ai po kalon një periudhë të vështirë. Ai është njëri prej nesh dhe të gjithë do të jemi pranë tij”, u shpreh kapiteni i Barcelonës.
Më pas, braziliani përgëzoi lojtarët e Barcelonës që kanë fituar trofe të mëdhenj me kombëtaret e tyre, duke u kërkuar të ndihen krenarë për arritjet dhe kontributin e tyre në historinë e futbollit.
Raphinha mirëpriti gjithashtu lojtarët e rinj të skuadrës dhe theksoi përgjegjësinë që sjell veshja e fanellës së Barcelonës.
“Të veshësh këtë fanellë dhe të mbash këtë stemë është një përgjegjësi shumë e madhe, por njëkohësisht është një nga gjërat më të bukura që kam përjetuar në jetë”, tha ai.
Në fund, Raphinha u premtoi tifozëve se skuadra dhe stafi teknik do të japin maksimumin për t’i sjellë suksese Barcelonës gjatë sezonit të ri.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju sjellë gëzim këtë sezon. Vetëm së bashku mund të luftojmë për çdo trofe”, deklaroi ai, përpara se ta mbyllte fjalimin me thirrjen tradicionale: “Visca el Barça dhe Visca Catalunya, gjithmonë.”
Fjalimi i brazilianit u prit me duartrokitje nga tifozët, në një moment simbolik për Raphinhën, i cili po merr një rol të ri drejtues në skuadrën katalanase.




