Presidenti i vendit Ilir Meta e ka konsideruar shumë të rëndë gjendjen e korrupsionit në vendin tonë, për të cilën thotë se duhet reflektim i menjëhershëm.
Teksa komenton raportin e Transparency International, Meta shprehet se Shqipëria në ndryshim nga shtetet fqinje si Maqedonia apo Kosova, ka njohur përkeqësim të korrupsionit.
Për Metën gjendja kërkon reflektim të menjëhershëm dhe efektiv.
Postimi i Metës:
MJAFT KORRUPSIONIT! MJAFT PANDËSHKUESHMËRISË!
Ndërsa shtetet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë shënuar progres të ndjeshëm në lufën kundër korrupsionit, vendi ynë ka vazhduar përkeqësimin.
Në raportin e përvitshëm të Organizatës prestigjoze Transparency International, për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë, Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë.
Këto të dhëna, për fat të keq, përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve, por edhe me paralajmërimet që kam bërë prej kohësh sa i përket nivelit të ulët të demokracisë në vend, mungesës së respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, shfrytëzimit të pandemisë për të forcuar autoritarizmin, mungesën e llogaridhënies në të gjitha nivelet, abuzimet me fondet publike nëpërmjet koncensioneve, PPP-ve dhe inceneratorëve, situatë e rëndë që vijon të vrasë shpresën dhe të detyrojë gjithmonë e më shumë shqiptarë të largohen nga vendi, për ta ndërtuar jashtë Shqipërisë të ardhmen e tyre.
Gjendja është shumë e rëndë dhe kërkon reflektim të menjëhershëm, efektiv dhe të përgjegjshëm!
Organizata Transparency International nxorri të martën raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë ku arrin në përfundimin se 86 për qind e 180 vendeve dhe territoreve, kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në 10 vitet e fundit.
Raporti që analizon zhvillimet e vitit të kaluar, e vë theksin tek lidhja mes korrupsionit dhe nivelit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, nga vendet me më shumë korrupsion e deri tek ekonomitë e përparuara.
“Qasjet autoritare shkatërrojnë sistemin e pavarur të kontrolleve dhe balancave e pavarura dhe bëjnë që përpjekjet kundër korrupsionit të jenë të varura nga tekat e elitës. Garancia që njerëzit të mund të flasin lirshëm dhe të punojnë kolektivisht për ta vënë pushtetin para përgjegjësisë është e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt një shoqërie pa korrupsion”, shprehet kryetarja e Bordit të Drejtorëve të organizatës Transparency International, në një koment lidhur me botimin e raportit.
Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni. Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë. Ndërsa Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë. Një përmirësim prej katër pikësh ka shënuar Maqedonia e Veriut, nga 35 në 39, ndërsa Mali i Zi është mes vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore me numrin më të lartë të pikëve, 46 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.
Në krye të listës, me nivelin më të ulët të korrupsionit këtë vit janë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re, ndërsa Somalia, Siria dhe Sudani i Jugut kanë gjendjen më të keqe. Për herë të parë, raporti ofron edhe një analizë krahasuese për gjendjen e korrupsionit në dhjetë vitet e fundit. Evropa Lindore dhe Azia Qendrore është i dyti në botë përsa i përket korrupsionit të lartë.
Vitin e kaluar, vazhdoi të binte në sy mënyra se si qeveritë e përdorën pandeminë e COVID-19 si pretekst për të ndrydhur liritë civile dhe për të vazhduar mungesën e transparencës. “Mund të themi se këtë vit nuk po shohim ndonjë ndryshim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor përsa i përket Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Dhe do të thosha se ky është lajm i keq, pasi që vendet të bëjnë përparim më të madh ekonomik, politik, social dhe që qytetarët të ndjejnë efektet e reformave dhe që jeta e tyre të përmirësohet, duhet të shohim rezultate shumë më të mira”, i tha Zërit të Amerikës Lidija Prokic, Këshilltarja për Evropën Lindore dhe Juglindore e Transparency International. “Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shohim kryesisht ngecje, por stanjacioni vjen pas një rënieje serioze dhe kjo nuk përcjell ndonjë mesazh shpresëdhënës”, shtoi ajo.
Shqipëria
Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë. “Në Shqipëri gazetarët përballen me padi dhe frikësime, përfshirë kontrollin e tepruar të informacionit në lidhje me reagimet ndaj COVID-19. Për më tepër, shqetësime për dhunën e policisë gjatë protestave dhe shkelje të lirisë së grumbullimit janë regjistruar gjatë gjithë pandemisë”, thuhet në raport.
Zonja Prokic e konfirmon një gjë të tillë.
“Ka pasur përpjekje për të miratuar ligje që frenojnë seriozisht lirinë e shprehjes. Dhe këto mund të mos duken direkt të lidhura me anti-korrupsionin, por në të vërtetë janë. Që mekanizmat kundër korrupsionit të funksionojnë mirë, që vendet të kenë sukses në luftën ndaj korrupsionit, ato kanë nevojë për media të lirë, kanë nevojë për shoqëri të lirë civile”, thotë ajo.
Po ashtu zonja Prokic thotë se janë vënë re “disa reagime joproporcionale të forcave të rendit kur bëhet fjalë për protesta publike, protesta të qytetarëve”. Në raport thuhet se pandemia u përdor gjithashtu si një justifikim për të reduktuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien për prokurimet publike dhe shpenzimet e ndihmës së huaj, duke lejuar që korrupsioni të përhapet gjerësisht.
“Shqetësimi ynë lidhur me prokurimet publike në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë është fakti se qeveritë kanë përdorur pandeminë e Covid-it si pretekst për të mos dhënë informacione për shpenzimet publike”, thotë ajo. Zonja Prokic e pranon se ndryshimet në ligjin për prokurirmet publike, shkojnë në drejtimin e duhur, por ajo thekson se ato duhet të zbatohen “në mënyrë konsistente, të paanshme dhe pa asnjë përjashtim”. Zonja Prokic thotë se më e rëndësishme se sa rënia ose rritja me një pikë në Indeksin e Perceptimit për Korrupsionit, është prirja e përgjithshme.
“Kur flasim për Shqipërinë këtë vit, rezultati është 35 pikë, ndërsa për shembull, dhjetë vjet më parë, rezultati i Shqipërisë ishte 33 pikë, kështu që mund të themi vetëm se ka pasur shumë pak përparim në këtë periudhë 10 vjeçare. Dhe kjo sigurisht nuk është diçka për të cilën mund të jemi optimistë”, thotë zonja Prokic. Ajo thotë se hapa të tillë si miratimi i reformës zgjedhore janë të rëndësishme, por zbatimi është më i rëndësishëm.