Aktori dhe komediani britanik, Russell Brand, 50 vjeç, është paraqitur në Gjykatën e Kurorës në Southwark, Londër, për të dhënë deklarimin lidhur me dy akuza të reja për përdhunim dhe sulm seksual, të lidhura me dy incidente të vitit 2009 që përfshijnë dy gra të ndryshme. Brand u deklarua i pafajshëm.
Këto akuza vijnë pas një deklarimi të mëparshëm në maj të vitit të kaluar, kur Brand ishte paraqitur gjithashtu i pafajshëm për pesë akuza të tjera, që përfshinin përdhunim, sulm të pahijshëm dhe sulm seksual mes viteve 1999 dhe 2005 në zona të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas BBC, një seancë e radhës është caktuar për mars, ku do të vendoset nëse akuzat e reja do t’i bashkohen çështjes ekzistuese, ndërsa gjykimi pritet të nisë më 3 qershor.
Në total, Brand përballet me akuza nga gjashtë gra për pretendime të krimeve seksuale që dyshohet se kanë ndodhur mes viteve 2006 dhe 2013, periudhë kur ishte në kulmin e famës dhe drejtonte programe televizive si Big Brother’s Big Mouth.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ai deklaroi: “Nuk kam qenë kurrë i përfshirë në aktivitete pa pëlqim. Lutem që kjo të shihet duke më parë në sy,” duke mohuar të gjitha akuzat.






