Aktori i njohur hollivudian Russell Crowe, fitues i çmimit Oscar dhe i paharrueshëm për rolin e tij në filmin “Gladiatori”, ka habitur publikun me deklaratat e fundit mbi jetën e tij personale.
Në një intervistë për “60 Minutes”, 61-vjeçari u shpreh se nuk ka asnjë plan për t’u martuar sërish, pavarësisht lidhjes së gjatë me të dashurën e tij Britney Theriot, 33 vjeç.
“Të gjitha këto raportime që thonë se unë dhe Britney jemi fejuar dhe do të martohemi? Jo,” tha Crowe me vendosmëri. “Jeta ime është e lumtur — pse do ta prishja me një martesë?” shtoi ai me humor.
Aktori kujtoi edhe martesën e tij të mëparshme me aktoren australiane Danielle Spencer, me të cilën ka dy djem. Dyshja u martua në vitin 2003, por u ndanë në vitin 2012, ndërsa divorci u finalizua në 2018.
“Kam qenë i martuar një herë dhe e di si përfundon kjo histori. Ta bësh një herë është mirë, por nuk dua ta përsëris,” shtoi Crowe me sinqeritet.
Lidhja e tij me Britney Theriot nisi në nëntor 2020, dhe çifti bëri paraqitjen e parë publike në tetor 2022, në premierën e filmit të aktorit “Poker Face” në Romë.
Pavarësisht diferencës së moshës, Crowe dhe Theriot duket se po shijojnë një marrëdhënie të qëndrueshme, por aktori nuk lë asnjë hapësirë për dyshime: martesa nuk është më në planet e tij.






