Ish-kryeministri Sali Berisha është ndalur sot në Lezhë, në 31 vjetorin e themelimit të PD-së në këtë qytet. Ai ka treguar historinë e vitit 1992 kur u zgjodh president dhe në arkën e shtetit ishin vetëm 4 milionë euro, dhe mijëra njerëz e shihnin veten të papunë. Ish-kryeministri tha se liria i bëri njerëzit të besonin dhe të qëndronin në Shqipëri për një të ardhme më të mirë.
Por çfarë ndodh sot? Berisha tha se nga Shqipëria të rinjtë janë larguar nga të katërt anët e vendit, madje sipas tij, qarku i Shkodrës zë vendin e parë për largimin e popullsisë së saj në moshë të re.
Berisha denoncoi se një kilometër rrugë kushton tetë herë më shumë se sa ndërtimi i një kilometri rrugë me parat e bankave.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ne jemi një parti e traditës, ne nuk heqim dorë nga tradita jonë, ne e respektojmë atë, ndaj dhe jemi mbështetës i partive konservatore, ne duam të projektojmë të ardhmen tonë më të mirë. Fillimet nuk kanë qenë të lehta për ata që themeluan PD-në në Lezhë dhe të gjithë Shqipërinë.
U zgjodha president në vitin 1992, jetoja në Brakë, çdo ditë kaloja nga shtëpia ime në presidencë përbri sheshit Skënderbej, sheshi ishte i mbushur nga djem dhe vajza të papunë, ndjeja gjithnjë një keqardhje të jashtëzakonshme. Bashkëshortja ime çdo ditë shkonte në dyqanet bosh, dhe merrte të sharat e komunistëve, paçka se vetë ata i kishin lënë të tilla.
Trashëguam një dekret që të gjithë atyre që largoheshin nga puna, ju jepte 80% të rrogës, arka e shtetit kishte gjithsej 4 milionë dollarë. U detyrova që të anuloja atë dekret, atë kohë ne kishim besimin te liria, dhe ndihma me grurë nga BE.
Megjithatë të dashur demokratë dhe demokrate, njësoj si ju që keni ardhur këtu, filluan të mbijnë përpjekjet e shqiptarëve të lirë, duke krijuar bizneset e vogla. Në ato vite shqiptarët nuk po largoheshin më, pasi kishte shpresë, edhe pse kishte shumë pak para në xhepa, kishte varfëri, papunësi, por kishte shpresë.
Të ardhurat u shtuan. Kjo na shërben për të thënë se ne sërish sot kemi shumë mungesa, demokratët janë më të ndëshkuarit, por janë njerëzit më të lirë të këtij vendi, vuajnë sot për punën, për shkollimin e fëmijëve, vuajnë për ilaçe, por janë burrat dhe gratë, djemtë e vajzat më të pasur në ideale.
Ata besojnë që do tia dalim, dhe do tia dalim. Ne kemi një armik shumë më të rrezikshëm se ai që kishim në atë kohë, ai ishte një diktator, ky i sotmi mendon se do të vazhdojë të shkelmojë mbi të drejtat e shqiptarëve, duke vijuar që të mbajë peng Lulzim Bravën.