Një 34-vjeçar shqiptar, Meltjan Isufi, është dënuar me gjashtë vite burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u kap duke tregtuar kokainë në disa zona të Anglisë.
Sipas mediave britanike, Isufi kishte hyrë ilegalisht në vend duke përdorur një dokument të rremë identiteti, pasi më herët ishte deportuar për shkak të dënimeve të mëparshme për veprimtari të ngjashme.
Hetimet e policisë zbuluan se ai ishte përfshirë në një rrjet të sofistikuar shpërndarjeje droge me një bazë klientësh prej mbi 800 personash. Gjurmët e ADN-së së tij u gjetën në një pako kokaine gjatë një kontrolli në Chester, më 23 dhjetor 2024, ku policia kishte arrestuar një tjetër person të përfshirë.
Pas sekuestrimit të telefonit të Isufit, hetuesit zbuluan komunikime që provonin se ai furnizonte kokainë çdo ditë në qytete të ndryshme.
“Isufi ishte dënuar dhe deportuar më parë, por zgjodhi të kthehej ilegalisht për të vazhduar aktivitetin e tij kriminal. Ai nënvlerësoi këmbënguljen dhe përkushtimin e oficerëve tanë,” deklaroi detektivi Richard Connolley, duke e cilësuar rastin si një shembull të qartë të luftës kundër rrjeteve të drogës që operojnë në mënyrë të organizuar.
Autoritetet britanike theksuan se pas përfundimit të dënimit, Isufi do të dëbohet sërish nga Mbretëria e Bashkuar.






