Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në kanionin e Nivicës, ku shtatë turistë spanjollë mbetën të bllokuar gjatë një eksplorimi në këtë zonë natyrore. Katër prej tyre janë shpëtuar pa lëndime, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit vijon për nxjerrjen e tre të tjerëve.
Lajmin e bëri të ditur Komisariati i Policisë së Tepelenës, i cili informoi se në terren ndodhen 10 forca zjarrfikëse dhe 20 efektivë të Policisë së Shtetit, të pajisur me dronë për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët e mbetur në kanion.
“Informohem nga Komisariati i Policisë Tepelenë se në kanionin e Nivicës turistët janë të kombësisë spanjolle dhe kanë qenë 7 turistë. 4 prej tyre janë nxjerrë pa lëndime dhe është duke u punuar për nxjerrjen e 3 të tjerëve. Në vendngjarje ndodhen 10 forca zjarrfikëse dhe 20 efektivë nga Policia e Shtetit të pajisur me dron. Mbetemi në kontakt,” thuhet në njoftim.
Autoritetet po bëjnë të pamundurën për të përfunduar me sukses operacionin dhe për të garantuar sigurinë e plotë të turistëve të mbetur.