Një ndryshim i rëndësishëm është shënuar në krye të shtëpisë së njohur të modës Dolce & Gabbana, ku stilisti Stefano Gabbana ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të kompanisë.
Sipas raportimeve të “Bloomberg”, vendimi është marrë që në dhjetor 2025, por është bërë publik vetëm së fundmi, duke sjellë një riorganizim të brendshëm në drejtimin e markës italiane.
Drejtimi ekzekutiv i kompanisë i është besuar Alfonso Dolce, vëllai i Domenico Dolce dhe aktualisht CEO i grupit, i cili ka marrë detyrën në janar 2026.
Dy themeluesit e markës, Stefano Gabbana dhe Domenico Dolce, janë shfaqur së bashku për herë të fundit në “Javën e Modës në Milano” në shkurt, gjatë një sfilate ku të ftuar ishin edhe figura të njohura ndërkombëtare si Madonna.
Në muajt e fundit, mungesa e Gabbana-s nga aktivitetet në Milano dhe zhvendosja e tij në Dubai kishin ngjallur spekulime në industrinë e modës, të cilat tashmë marrin një konfirmim zyrtar për një ndryshim të rëndësishëm në strukturën drejtuese të kompanisë.
Dolce & Gabbana, e themeluar në vitin 1985, ka qenë për dekada nën drejtimin e drejtpërdrejtë të dy stilistëve, duke shënuar një nga partneritetet më të njohura në industrinë e modës ndërkombëtare.
Deri tani nuk janë bërë të ditura arsyet e dorëheqjes, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të ndikojë ky zhvillim në strategjinë globale të markës në vitet në vijim.






