Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për zgjedhje lokale të 14 majit, për të cilat është shprehur besimplotë se opozita do të marrë shumicë votash. Gjatë fjalës për televizionin ‘Star Plus’, Meta tha se opozita i ka votat e saj dhe se përmbysja e pushteteve do të ndodhë.
“Tani është një betejë e vërtetë edhe në këtë betejë të vërtetë do të triumfojë e vërteta. Opozita është e papërmbajtshme, do ta shikosh si do të shkojnë lumë në qendrën e votimit dhe do të shikosh dhe si do të votohet edhe vetë socialistët e ndershëm. Sepse këta cfarë kanë bërë? Gjithë korrupsionin e tyre e kanë përqendruar si të korruptojmë ne ca drejtues të opozitës, si të korruptojmë ne të mbajmë ca deputetë të opozitës, me këta të pak si zhurmë ne. Si të blejmë ne ca njerëz jo të Partisë së Lirisë, jo të PD e kështu me radhë. Dhe i kanë lënë fare pas dore socialistët e thjeshtë të cilët janë dhe dëshmitarët okularë të një korrupsioni të paparë dhe të padëgjuar që bëjnë shefat e tyre rilindas, pa asnjë kontribut në të kaluarën në Partinë Socialiste.
Të jeni i sigurt që përmbysja ka ndodhur dhe po ndodh me ritme të jashtëzakonshme çdo ditë. Të jeni të sigurt që opozita i ka të gjitha votat e saj dhe ato do të jenë të paprekshme dhe të pacënueshme dhe askush të mos ëndërrojë që të vërë dorë mbi votat e opozitës. Iku koha kur pas humbjes fillonte fitorja. Tani fitorja është në duart tona, të popullit shqiptar, të popullit opozitar edhe atë nuk na e merr dot askush ne nga dora. Çdo standard shërbimesh në Tiranë është përkeqësuar dhe është rënduar. Që nga trafiku, që nga ndotja, që nga infrastruktura. Vetëm të shkonit një moment në Astir ju, Astiri është bërë një qytet më vete dhe do të vini duart mbi kokë. Ashtu si Astiri është 80-90% e Tiranës. Taksat janë rritur, transparenca është zero, kështu që, kudo ka një padurim për ndryshim, nuk kanë çfarë të presin më, nga kryetarë bashkie që kanë nga 8 vjet të cilët kanë prodhur vetëm mungesë transparence dhe vetëm skandale. Nuk e harron Tirana atë që i ndodhi me Teatrin Kombëtar, që iu shemb në mënyrë të paligjshme, që iu shemb natën dhe në kohën e pandemisë, duke i rrezikuar jetën e artistëve dhe shoqërisë civile. Dhe përse? Për korrupsionin e kullave të tyre.
Nuk harron Tirana dhe shumë çështje të tjera. Kështu që të jeni të sigurt ju, që Shqipëria në 14 maj do t’i thotë po ndryshimit dhe në radhë të parë kryeqendrave. Aq më tepër që kandidatët e opozitës janë të shkëlqyer. Në Tiranë, Belind Këlliçi një figurë e re që lë mandatin e deputetit edhe ka të gjithë të drejtën morale të provohet nga qytetarët e Tiranës dhe është një model i ri bashkëpunues. I një politikani që përfaqëson një gjeneratë të re. Në Durrës, Igli Cara një profesionist, një figurë qytetare me eksperiencë i cili ka të drejtën të provohet. Në Elbasan, Luçiano Boci një intelektual, një profesor i njohur dhe në nivel kombëtar që edhe ai lë mandatin e deputetit që e ka fituar duke thyer herësin duke marrë 12 mijë vota në atë situatë që ka qenë në Elbasan, që ne e dimë shumë mirë që mbretëronin bandit. E bën këtë sepse do qytetin e tij dhe sepse ka besim absolut tek fitorja. Kështu që opozita është superiore në të gjitha drejtimet. Edhe në numër kryetarësh unë jam i bindur që opozita do të jetë shumicë por mbi të gjitha vota popullore do të jetë një shumicë dërrmuese, sidomos në tre qendrat kryesore që unë i njoh dhe më mirë se jam vazhdimisht në terren, në Tiranë, Durrës dhe Elbasan fitorja e opozitës do të jetë shumë e qartë,”-tha Meta.