Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Gjakovë, ku si pasojë e të shtënave një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Viktima është identifikuar si Rasim Binakaj. Ndërkohë, i plagosur ka mbetur Edi Mehmeti, i cili ka pësuar plagë në kraharor nga arma e zjarrit. Ai është transportuar për trajtim mjekësor dhe, sipas stafit mjekësor, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim Nexhdet Zymberaj, pronari i lokalit “My Place”, i cili dyshohet se është përfshirë në incident dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në vendin e krimit, policia ka gjetur pesë gëzhoja arme zjarri si dhe një mjet të mprehtë (thikë). Rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.






