Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tragjedia që goditi familjen shqiptare Manati në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë humbën jetën pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët mëngjesin e 26 gushtit.
Mediat amerikane raportojnë se viktimat janë dy binjakë 11-vjeçarë dhe një fëmijë vetëm 2 vjeç. Prindërit dhe dy fëmijë të tjerë të familjes, një foshnjë 2-muajshe dhe një 9-vjeçar, i mbijetuan zjarrit, por janë shtruar në spital në gjendje kritike.
Familja Manati është me origjinë nga Lushnja. Pas tragjedisë, të afërmit dhe komuniteti janë mobilizuar për t’i ardhur në ndihmë familjes, e cila brenda pak minutash humbi tre fëmijët, shtëpinë dhe gjithçka kishte brenda saj.
Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit
Zjarri shpërtheu në orët e para të së mërkurës në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road, në zonën Mandarin të Jacksonville.
Alarmi për zjarrin u dha rreth orës 05:13, ndërsa zjarrfikësit mbërritën vetëm katër minuta më vonë.
Ekipet e emergjencës gjetën flakë të mëdha në katin e parë dhe tym të dendur në katin e dytë. Sipas autoriteteve, dy të rritur dhe dy fëmijë kishin arritur të dilnin nga banesa përpara mbërritjes së zjarrfikësve.
Një dëshmitar ka treguar se një foshnjë dhe një i rritur u hodhën nga dritarja e katit të dytë dhe u pritën poshtë nga persona që ndodheshin në zonë.
Por brenda banesës kishin mbetur edhe tre fëmijë.
Gjatë kërkimeve, zjarrfikësit i gjetën tre fëmijët pa shenja jete. Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:38.
Zjarri shkatërroi plotësisht shtëpinë e familjes Manati dhe dëmtoi edhe dy banesa të tjera.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për të ndihmuar familjen Manati dhe banorët e tjerë që u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre pas zjarrit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e shpërthimit të zjarrit dhe rrethanat e plota të tragjedisë.





