Tre persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë vënë nën hetim në Tiranë, të akuzuar për kontrabandë të veshjeve të luksit nga Kina dhe Turqia dhe shitjen e tyre duke shmangur detyrimet tatimore.
Në pranga kanë rënë Sofokli Bushi, Bilbil Llangozi dhe Ali Bushati, të kapur në flagrancë nga policia gjatë transportit të 17 valixheve me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Operacioni, i koduar “Brand 3”, u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh. Hetimet tregojnë se shtetasit e përfshirë magazinonin veshjet në Tiranë dhe i shisnin duke shmangur tatimet dhe taksat.
Përveç të arrestuarve, nën hetim penal janë vënë edhe katër persona të tjerë: R. Ll., 45 vjeç, I. B., 39 vjeç, E. B., 23 vjeç dhe Z. M., 65 vjeç. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale: “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Policia njofton se hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal vazhdojnë.






