Policia ka zbardhur detaje të reja nga shpërthimi me tritol i makinës së Oltjon Klosit, i ndodhur më 10 mars, duke vënë në pranga 7 persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Sipas hetimeve, autori i vendosjes së eksplozivit, Jurgen Gjonaj, dyshohet se ka vepruar për shkak të një borxhi prej 15 mijë eurosh ndaj porositësit të dyshuar, Sabah Nuzi. Ky borxh lidhej me humbjen e një ngarkese droge në Gjermani.
Nga ana e tij, Nuzi ka deklaruar se porosia ishte bërë në emër të personave të tjerë që kishin konflikte me Klosin, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende publik.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti, të akuzuar për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” në bashkëpunim. Ndërsa Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla akuzohen për “Përkrahje të autorit të krimit”.
Hetimet u ndihmuan nga zbulimi i biçikletës së përdorur nga autori, e cila rezultoi e vjedhur nga Kristjan Ahmerama dhe e fshehur në zonën e Laprakës. Mbajtja nën vëzhgim e saj çoi në identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë atentat.






