Normat e interesit të kredisë për blerje banesash pësuan sërish rënie gjatë vitit 2025, duke mbështetur zgjerimin e mëtejshëm të kreditimit në këtë segment. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për portofolin e kredisë për shtëpi në monedhën Lekë në muajin dhjetor zbriti në 4.19%, nga 4.52% që kishte qenë një vit më parë. Ky është niveli më i ulët i regjistruar që prej mesit të vitit 2022.
Edhe norma mesatare e interesit për kreditë e banesave në Euro shënoi një rënie të lehtë, duke arritur në 5.18%, nga 5.26% në dhjetor 2024. Diferenca mes normës në Euro dhe asaj në Lekë në fund të vitit 2025 arriti në 0.99 pikë përqindje, nga 0.74 pikë përqindje një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti një rekord historik prej 64.4 miliardë lekësh, ose rreth 658 milionë euro, në rritje me 17.3% krahasuar me vitin 2024. Rritja është më e lartë edhe se ajo e vitit pararendës, kur zgjerimi ishte 13%.
Portofoli aktiv i kredisë për shtëpi në fund të vitit 2025 arriti në 243.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 16.7%, duke përshpejtuar ritmin krahasuar me 15.5% një vit më parë.
Normat më të ulëta të interesit kanë bërë që kreditimi për shtëpi të dominohet nga monedha vendase. Gjatë vitit 2025, kredia e re në Lekë arriti në 48.5 miliardë lekë, në rritje me 18.6% krahasuar me një vit më parë, duke përbërë mbi 75% të totalit të disbursuar.
Ndërkohë, kredia në Euro iu rikthye rritjes pas një frenimi në 2024, duke arritur në vlerën e barazvlefshme të 16 miliardë lekëve, me një zgjerim vjetor prej 14.3%.
Interesat e ulëta dhe rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit kanë rritur atraktivitetin e investimit në prona. Megjithatë, zgjerimi i shpejtë i kredisë ka sjellë shqetësime për stabilitetin financiar.
Në mesin e vitit 2025, Banka e Shqipërisë vendosi kufizime të reja për kreditë e banesave, duke detyruar bankat të respektojnë kritere më të rrepta për “Raportin e kredisë ndaj vlerës” (LTV) dhe “Raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (DSTI).
Megjithatë, të dhënat e vitit 2025 tregojnë se masat e reja nuk kanë arritur të frenojnë ritmet e larta të rritjes së kredisë për shtëpi, e cila mbetet një nga segmentet më dinamike të tregut bankar.






