Behgjet Pacolli mohon se ka nënshkruar kontratën e 47% të aksioneve, ndërsa prokuroria e Tiranës kërkon ekspertim grafik për firmat dhe verifikim të punimeve në pistë dhe terminal.
Detaje të reja kanë dalë nga dosja penale e regjistruar në prokurorinë e Tiranës për aksionet dhe ndërtimin e “Vlora International Airport”. Çështja ka sjellë në qendër të hetimeve oligarkun kosovar Behgjet Pacolli, aksioneri më i madh i këtij projekti, i cili javën e kaluar është paraqitur në prokurori për të dhënë shpjegime.
Pacolli ka mohuar kategorikisht se ka qenë përballë noteres Valbona Selimi dhe se ka nënshkruar dokumentin Kontratë-Shitje për 47% të aksioneve në favor të ortakut Valdon Ademi. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur për shkak të një marrëdhënieje mirëbesimi dhe firmosjes së disa dokumentave të dorëzuara nga shoferi i tij:
“…unë isha duke u larë në pishinë. Dola nga pishina e firmosa ato dokumenta që më solli shoferi…”
Pacolli ka theksuar se nuk kishte njohuri mbi përmbajtjen e dokumenteve dhe se nuk u kishte kushtuar rëndësi, duke insistuar se gjithçka është bërë në kushtet e mirëbesimit të ndërsjelltë. Ai ka mohuar se ka qenë kurrë para noteres Valbona Selimi për të kryer nënshkrimin, duke shkelur kështu procedurat ligjore të notarizimit në Shqipëri, ku është e detyrueshme prezenca dhe identifikimi i palëve.
Në ditët në vijim, prokuroria e Tiranës pritet të thërasë sërish noteren Valbona Selimi për të sqaruar pozicionin e saj juridik lidhur me kontratën. Njëkohësisht, ekspertët e Policisë Shkencore janë angazhuar për ekspertimin grafik të firmave të shtetasve: Emin Pacolli, Behgjet Pacolli, Valbona Selimi dhe Valdon Ademi.
Hetimi nuk kufizohet vetëm tek verifikimi i firmave, por përfshin edhe situacionin e punimeve në pistë dhe terminal, duke synuar të konstatohet nëse janë respektuar standardet e ndërtimit dhe ligjshmëria e realizimit të projektit.






