Gjykata Kushtetuese shpalli dje vendimin e saj për mandatin e Olta Xhaçkës, duke rrëzuar Kuvendin dhe duke i dhënë të drejtë Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
E duke mos humbur shumë kohë, grupi i Alibeajt, i është drejtuar sot Kuvendit me kërkesën për mbledhjen urgjente të Këshillit të Legjislacionit dhe përfshirjen në rend dite të seancës së ardhshme të mocionit për dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Deputetët anëtarë të Këshillit të Legjislacionit Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Dhurata Cupi, Saimir Korreshi dhe Greta Bardeli kërkojnë nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit të hënën në orën 12:00 dhe përfshirjen e kësaj çështje në seancën plenare të datës 2 mars.
KERKESA
Në datën 22.02.2023, është shpallur vendimi i arsyetuar nr. 1, datë 23.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka vendosur: “Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Në përmbajtje të këtij vendimi, Gjykata ka arsyetuar se “Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetuese nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi.” (shih vendimin nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, § 56).
Në këto kushte, në zbatim të vendimit të sipërcituar, në mbështetje të nenit 14 dhe nenit 87 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkojmë thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Legjislacionin, ditën e hënë, datë 27.02.2023, me rend dite: “Shqyrtimi i vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese.”.
Gjithashtu, në mbështetje të nenit 70, pika 4 të Kushtetutës, nenit 119/1, pika 4 të Rregullores së Kuvendit dhe vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, kërkojmë që në seancën plenare të datës 02.03.2023, të përfshihen në rendin e ditës: “1. Shqyrtimi i mocionit të 1/10 së deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhacka. 2. Dërgimi i çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën e deputetit të Znj. Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese”.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.
DEPUTETËT
Enkelejd ALIBEAJ Gazment BARDHI Dhurata ÇUPI
Saimir KORRESHI Greta BARDELI