ATHINË – Pas disa ditësh arratisjeje, Mark Preçi, 64 vjeç, shqiptari i akuzuar për tentativë përdhunimi ndaj një vajze 25-vjeçare me aftësi të kufizuara në lagjen Kypseli të Athinës, u vetëdorëzua sot në polici, shoqëruar nga avokati i tij.
Ngjarja kishte ndodhur disa ditë më parë, kur shqiptari u përplas fizikisht me nënën e vajzës gjatë përpjekjes për të shpëtuar viktimën. Sipas raportimeve, nëna e vajzës e goditi atë me tigan dhe më pas e ndoqi me thikë, por 64-vjeçari arriti të largohej. Ekzaminimi mjeko-ligjor konfirmoi se përdhunimi nuk kishte ndodhur.
Mark Preçi ishte një person i njohur dhe i besuar nga familja, pasi i ndihmonte për blerje dhe kishte marrëdhënie miqësore me nënën e vajzës përmes kafenesë së kishës. Viktima 25-vjeçare ka edhe një motër binjake, po ashtu me aftësi të kufizuara.
Ndërkohë, në fokus të mediave greke ka dalë edhe rrëfimi i vajzës biologjike të 64-vjeçarit, e cila pretendon se ishte abuzuar seksualisht nga i ati në moshën shtatë vjeç. Ajo ka treguar se për vite me radhë nuk mundi ta denonconte për shkak të frikës dhe presionit psikologjik.
“Kur isha shtatë vjeçe, babai im më përdhunoi një herë në Shqipëri, kur të gjithë mungonin nga shtëpia. Nuk e denoncova kurrë, sepse kisha frikë. Sot nuk kam asnjë marrëdhënie me këtë njeri. U zgjodh të denoncoj tani, por më kanë thënë se nuk do të çonte askund pasi nuk mund ta provoja”, ka deklaruar ajo për mediat greke, duke shtuar se edhe familjarët e tjerë e mbajtën anën e tij dhe ajo ndërpreu çdo kontakt me ta.
Rasti ka tronditur komunitetin lokal dhe po ndiqet nga autoritetet greke, ndërsa Prokuroria po shqyrton të gjitha elementet për veprime të mëtejshme ligjore.






