Arjan Gosa 48 vjeç, ishte me të atin duke konsumuar kafe në lokalin që ndodhet në lagjen nr 1, në hyrje të Kavajës.
Në këtë moment një person ende i pa identifikuar, me kapele dhe i veshur sportiv është afruar në tavolinë dhe e ka qëlluar me një plumb pistolete në koke e më pas është larguar në këmbë duke humbur gjurmët.
Grupi hetimor është duke bërë këqyrjen e kamerave të sigurisë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme dhe sipas informacioneve paraprake janë duke u hetuar pista për një hakmarrje të mundshme.
Në datën 29 mars, në një lokal në qendër të qytetit për shkak të një konflikti, dy qytetarët, Armand Gosa nga Kavaja, vëllai i viktimës së ditës së sotme dhe Sali Rexha nga Kukësi kanë mbetur të vrarë, pasi kanë goditur njëri-tjetrin. Rexha ka qëlluar me armë drejt Gosës, ndërsa ai e ka sulmuar me thikë.
Njoftimi i Policisë: Kavajë/Informacion paraprak
Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A. G.
Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Paraprakisht nga të dhënat e grumbulluara dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje.