Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar rreth hapjes së Urës së Ibrit, duke theksuar se është në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe se pret që ata të përmbushin premtimet e tyre, sipas të cilave ura nuk do të hapet pa një marrëveshje të arritur mes palëve. Vuçiç shprehet se nuk ekziston vullnet i përbashkët politik mes Serbisë dhe Kosovës për këtë çështje dhe se çdo veprim tani është pjesë e fushatës elektorale në Kosovë, pas shpalljes së zgjedhjeve për 9 shkurt. Ai shton se pret provokime dhe probleme shtesë, por është i bindur se KFOR-i do të përmbushë detyrimet e tij sipas rezolutës 1244.
Gjatë një vizite në Medvegjica, ku po festohej dita e bukës së misrit dhe djathit, Vuçiç theksoi: “Jemi në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe KFOR, me të cilët kemi bashkëpunim shumë korrekt dhe presim që ta mbajnë fjalën e dhënë, e cila thekson se pa marrëveshje apo pa vullnet të përbashkët, nuk do të ketë hapje të urës. Vullnet të përbashkët nuk ka sepse dialog me ta nuk kemi.”
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka paralajmëruar se hapja e Urës së Ibrit mbi Mitrovicë është shumë e rrezikshme, duke pohuar se në Kosovë shqiptarët dhe serbët nuk duan të jetojnë së bashku, dhe kur detyrohen të jetojnë bashkë, incidentet janë të pashmangshme. Vulin gjithashtu ka deklaruar se serbët në Kosovë nuk janë të frikësuar nga hapja e urës, por janë të shqetësuar. Duke folur për vizitën e tij të fundit në Moskë, ai ka theksuar se Serbia ka mbështetjen absolute politike dhe ekonomike nga Rusia dhe ka akuzuar kryeministrin e Kosovës për përpjekje për të kryer spastrim etnik të serbëve në Kosovë.