Pazari i pistë Rama-Berisha, i cili u finalizua me dhënien e vulës. Edi Rama është garanti kryesor i karrierës dhe bizneseve të familjes Berisha. Ortakëria mes tyre nuk ka lindur sot, por është e vjetër. Ata kërkojnë monopolin e sistemit, sepse vetëm ashtu mund të mbajnë njëri-tjetrin, sipas lojës 35-vjeçare, “që i yti mishin ta ha, por kockën ta ruan”. Por në këtë mes problemi nuk është vetëm vula e PD, pasi nuk mund të komentohen vendimet e gjykatave. Është një çështje edhe më alarmante që mund të finalizohet nga dyshja Rama-Berisha, tashmë që ish-kryeministri i shpallur “non grata” nga SHBA mori kontrollin e plotë të Partisë Demokratike. Në shënjestër është drejtësia e re. SPAK-u është një krijesë e SHBA-ve për të goditur estabilishmentin politik në Shqipëri për të krijuar një politikë të re, pasi ajo aktuale është e korruptuar. Dy krerët e politikës Rama e Berisha janë kundër SPAK-ut, pasi ky i fundit i godet të dy. Ata godasin SPAK-un pasi kështu mbrojnë veten.
Pazaret Rama-Berisha
SPAK ka dosje që po heton për kryeministrin. Deri më sot Rama-Berisha kanë prodhuar vetëm koncencione, abuzime, ligje antikombëtare dhe qeverisje antidemokratike ku oligarkët si ura ndërmjetëse venë e vinë nga kulla 22 katëshe e Bashkim Ulajt te sarajet e Surrelit për të firmosur dekrete, ligje dhe koncensione në interes të pasurimit të tyre. Kulla 64 katëshe te gropa e Hajdin Sejdisë, një personazhi simbol i mashtrimit në Tiranën e viteve 90, është simboli i një afere midis pasardhësve të Hajdinit, që për fat të keq kontrollojnë shtetin në çdo qelizë. Pas kësaj kulle nuk është një person i vetëm. Kjo godinë ka qenë bingo që Saliu dhe Edi Rama ja bënë dhuratë vetvetes për të garantuar një aset ekonomik të ditëve të zeza që po trokasin mbi ta. Brenda kësaj kulle gjigante me vlerë marramendëse janë të përfshirë të gjithë oligarkët që vazhdojnë i furnizojnë me para. Jo vetëm kaq, duart e Ramës dhe Berishës dalin dhe te Kompleksi Partizani. Për t’i marrë në mënyrë abuzive pronat, ka hedhur firmë edhe kryeministri Rama në kohën kur ka qenë kryetar bashkie. Jo vetëm kaq, fijet e tyre janë të lidhura dhe te koncesionet në shëndetësi. Rama dhe Berisha arritën një marrëveshje për të mos prekur Klodian Allajbeun. Ai është kursyer nga “Rithemelimi” pasi dy koncesione të fituara prej tij në një vlerë prej rreth 28 milionë euro, u hoqën nga objekti i hetimit të Komisionit hetimor të Kuvendit në shëndetësi. Mësohet se në kërkesën e parë të dorëzuar në Kuvend disa muaj më parë, është kërkuar hetimi për katër koncesione në shëndetësi, por çuditërisht pas marrëveshjes me socialistët “Rithemelimi” ka paraqitur një kërkesë të “përditësuar” ku befas hoqi 2 koncesione të fituara nga Klodian Allajbeu, përkatësisht koncesionin e dializës dhe atë të laboratorëve. Dyshohet se pas koncesionit të dializës fshihet Shkëlzeni. Si mund të godasin Rama e Berisha pasuritë që i kanë krijuar me duart e tyre.
Plani i tyre për të goditur SPAK
SPAK që po shkërmoq Partinë Socialiste duke i marrë kreut të qeverisë një nga një bashkëpunëtorët e tij më të rëndësishëm. Ky nuk është fundi, është vetëm fillimi pasi, goditje të mëdha priten sërish për qeverinë “Rama”, teksa disa nga ministra aktualë janë nën ankthin e prangave, për shkak se akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Edhe vetë kryeministri është i rrezikuar në dosjen e inceneratorëve, por goditja më e madhe do të jetë tek pazaret e tij me ish-agjentin e FBI “McGonigal”, çështje e cila është nën hetim nga SPAK. Standardi i ri që po ndjek Prokuroria e Posaçme për ish-kryeministrin Sali Berisha pritet të shkaktojë “tërmet” në politikën shqiptare. Me rastin e klubit Partizani, Berisha u fundos për një vendim të qeverisë dhe vendim kolektiv. Kjo lëvizje e SPAK fut Ramën në rrethin e kuq, pasi sot që flasim janë dhjetëra socialistë të burgosur, të cilët akuzohen se janë përfshirë në zullume, por që në të vërtet kanë qenë firmat për Edi Ramën që i fundosën. Dosja që mund të tronditë pozitat e tij, është ajo e inceneratorëve. Rama është kokë e këmbë i zhytur dhe kryesor në aferën e djegësave. Madje mund të ketë dhe shkesa që vërtetojnë më hapur se Berisha tek Kompleksi Partizani implikimin e tij.
Si mos të bashkohet Rama me Berishën kur rreziku më i madh pritet t’ju vijë nga SPAK. Deri më tani kjo dyshe ka përdorur të njëjtën skemë. Zihen e bëjnë debat dhe në fund bashkohen për interesat e tyre personale. Kështu ndodhi edhe me amnistinë penale, për të cilën thanë që nuk do të lirohen zyrtarë të goditur nga SPAK, por që në fund ndodhi e kundërta. Shpresojmë që mos të ndodhë e njëjta gjë me komisionin e posaçëm anti-korrupsion që po kërkon të krijojë Rama.