Një sasi e konsiderueshme municionesh të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore është zbuluar në fshatin Vodiçë, në Njësinë Administrative Kotë të Bashkisë Selenicë.
Sipas informacioneve, gjatë ditës së djeshme janë gjetur dhe siguruar rreth 140 predha mortaje, ndërsa gjatë ditës së sotme janë evidentuar edhe 20 të tjera, duke e çuar në 160 numrin total të predhave të zbuluara në zonë.
Municionet u konstatuan nga një kompani që po kryente punime në këtë zonë, e cila njoftoi menjëherë autoritetet për praninë e tyre. Pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën ekspertët përkatës, të cilët për dy ditë me radhë zhvilluan një operacion për identifikimin, sigurimin dhe largimin e predhave.
Autoritetet theksojnë se operacioni u krye me kujdes të shtuar për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqesin municionet e pashpërthyera, ndërsa zona është kontrolluar për të shmangur praninë e predhave të tjera të mundshme.






