23.5 C
Tiranë
Tuesday, September 24, 2024
spot_img

Zbulohet banda e kontrabandistëve shqiptarë, shesin pasaporta të sofistikuara nëpërmjet Tik-Tok

Një investigim i medias britanike DailyMail ka nxjerrë zbuluar një bandë kontrabandistësh shqiptarë, të cilët kanë nisur të ofrojnë shërbimet e tyre në rrjetin social Tik-Tok pa u frikësuar nga forca e ligjit, teksa shesin pasaporta të sofistikuara por false të Britanisë së Madhe, me vlerë 3500 paund.

Bandat përdorin fotografi të Mbretëreshës dhe Pallatit të Buckinghamit në mediat sociale për të reklamuar pasaporta të cilat përfshijnë çipa biometrikë me ‘cilësi të lartë’, të nevojshme për të kaluar kontrollet kufitare të Mbretërisë së Bashkuar.

Falsifikimet përmbajnë filigranë, hologramë dhe veçori sigurie fluoreshente të dukshme vetëm nën dritat ultravjollcë gjatë kontrolleve në skanerët e aeroportit.

Një shtetas shqiptarë (anëtar i një bande trafikantësh) i vendosur në Mbretërinë e Bashkuar i ofroi një gazetari të infiltruar të DailyMail një pasaportë britanike të falsifikuar për 3,500 £ dhe një pasaportë të një prej vendeve të BE-së, e cila mund të përdoret gjithashtu për hyrje të paligjshme në Britaninë e Madhe për vetëm 2 mijë paund.

“Shumë njerëz kanë ardhur këtu në këtë mënyrë. Çfarëdo që ju pëlqen. Ju pëlqen francezja? Ju pëlqen britanikja? Ju pëlqen italianja? Gjithçka e kemi”, ka thënë trafikanti shqiptar.

Ndërkohë, një tjetër falsifikues i pasaportave reklamon përmes videove në TikTok (disa me më shumë se 17,000 shikime) që tregon një emoji të Mbretëreshës duke shkelur syrin. Një mesazh në gjuhën shqipe sipër video thotë: “Të kontaktojë kushdo që është i interesuar për pasaporta evropiane të përshtatshme për të kaluar në Angli”.

Gazetari i Mail, duke u paraqitur si dikush që shpreson të marrë të afërmit në Mbretërinë e Bashkuar, kontaktoi shefin e bandës ‘Nic’ i cili qeshi dhe përshëndeti me gisht gjatë një videotelefonate nga shtëpia e tij në Shqipëri.

Ai e vuri në kontakt gazetarin e Mail me kushëririn e tij, i cili zbuloi se tani jeton në Birmingham pasi mbërriti me një pasaportë false në Britani. “Unë kisha të njëjtën pasaportë dhe tani jam në MB”, tha shqiptari.

Ai më tej tregon se kushëriri i tij në Shqipëri është një operator ‘serioz’ dhe ka bërë pasaporta false që përmbajnë çipa biometrikë për t’u siguruar që do të kalojnë skanerët e sigurisë. Ai shpjegon: “Në mini-çip keni të gjitha informacionet – emrin, kombësinë, datën e lindjes, sa i gjatë jeni, mbiemrin”.

Ai madje i ka dërguar gazetarit të infiltruar video të kushëririt të tij duke bërë pasaportat.

Ndërkohë, një tjetër falsifikues reklamon “pasaportat më të reja në treg me të gjitha elementet e sigurisë” përmes një grupi në shërbimin e mesazheve Telegram. Postimet përfshijnë një video të një pasaporte të rreme në Mbretërinë e Bashkuar të një gruaje duke u bërë dhe skanuar përmes një kompjuteri, me një titull: “Pasaportë angleze me çipa dhe të dhëna të cilësisë super të lartë që shfaqen në sistem”.

Në një tjetër video, një anëtar i bandës postoi një fotografi të një pasaporte false sllovene dhe një kartë imbarkimi me të njëjtin emër për një fluturim të Ryanair nga Spanja në Stansted më 31 dhjetor, me komentin: “Oferta e Vitit të Ri”.

Klienti i bandës shqiptare ndërkohë tregon se pasaporta e tij ishte kontrolluar me kujdes në aeroport, duke përfshirë një skanim kompjuterik, por ‘doli në rregull’.

Postimet e tjera tregojnë kartat e imbarkimit të klientëve dhe dokumente false të përdorura për të fluturuar në Leeds dhe Mançester. Operacioni kryesor është në Shqipëri, ku bëhen pasaportat, por grupi i shet klientëve nga e gjithë bota.

Kur Mail kontaktoi mashtruesit që paraqiteshin si klient të mundshëm me bazë në Mbretërinë e Bashkuar me shpresën për të marrë një të afërm nga Spanja, gazetarët u drejtuan te agjenti i tyre me bazë në Britani.

Burri, i cili dha emrin e tij si “Jimmy”, i tha gazetarit në një telefonatë përmes WhatsApp-it se ai fillimisht hyri në Mbretërinë e Bashkuar dhjetë vjet më parë duke përdorur një pasaportë false dhe tani jeton në Luton. Ai dha një udhëzues hap pas hapi se si të përdoret një dokument i rremë.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT