Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Piacenza, ku një vajzë 20-vjeçare shqiptare, Anxhela Byku, ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni i banesës ku jetonte me bashkëshortin e saj.
Shërbimet e emergjencës dhe karabinierët mbërritën menjëherë në vendngjarje pas alarmit të dhënë nga bashkëshorti, i cili e gjeti të shtrirë në oborrin e brendshëm të pallatit. Rënia nga një lartësi rreth 10 metra i shkaktoi të resë dëmtime të rënda në kokë, të cilat rezultuan fatale.
Pas hetimeve dhe inspektimeve të kryera në apartament dhe në zonën përreth, karabinierët kanë përjashtuar përfshirjen e palëve të treta. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga hetuesit, dyshohet se e reja kishte mbetur jashtë apartamentit dhe, në përpjekje për t’u futur sërish brenda përmes ballkonit, ka humbur ekuilibrin duke rënë poshtë.
Ndërkohë, familjarët e saj – nëna dhe motra – kanë mbërritur nga Shqipëria për të qenë pranë të afërmve dhe për të përballuar humbjen e rëndë.






