Më 16 shtator, pas më shumë se dy vjetësh gjykim, Gjykata Speciale në Hagë pritet të japë verdiktin për katër nga figurat më të njohura të luftës së Kosovës: Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.
Katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ndërsa në Hagë pritet vendimi i gjykatës, Radio Evropa e Lirë ka udhëtuar nëpër Kosovë për të kuptuar se çfarë do të thotë 16 shtatori për qytetarët. Nga fshatrat e Drenicës, ku lufta dhe UÇK-ja mbeten pjesë e kujtesës së përditshme, deri te qytetet ku një brez i lindur pas luftës e sheh atë histori nga një distancë tjetër, verdikti pritet me emocione të ndryshme.
“Akuzat nuk përputhen me njeriun që kam njohur”
Rreth dy mijë kilometra larg Hagës ndodhet Buroja e Skënderajt, vendlindja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili prej gati gjashtë vjetësh ndodhet në paraburgim në Hagë.
Për Kadri Thaçin, bashkëfshatar dhe person i afërt me familjen e ish-presidentit, vendimi i 16 shtatorit nuk është thjesht një aktgjykim gjyqësor.
Pas më shumë se dy vjetësh proces gjyqësor, Gjykata Speciale pritet të shpallë aktgjykimin ndaj Thaçit, Selimit, Veselit dhe Krasniqit.
Edhe pse shpreson për lirimin e tyre, Kadri Thaçi thotë se vetëm mendimi për një dënim të mundshëm e rëndon.
Sipas tij, akuzat ndaj ish-presidentit nuk përputhen me njeriun që ai ka njohur.
Ai e përshkruan Hashim Thaçin si “shumë njeri të butë, shumë njeri të mirë, shumë njeri të dashur”, ndërsa kujton se që nga fëmijëria ai ishte “i veçantë” në fshat.
Prej gati gjashtë vjetësh, që kur Thaçi, Selimi, Veseli dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë, procesi gjyqësor është bërë pjesë e bisedave të përditshme mes banorëve të Burojës.
Nga Buroja drejt zemrës së Drenicës
Pak kilometra më tej ndodhet Likoci i Drenasit, në zemër të Drenicës.
Edhe pse Buroja dhe Likoci janë pranë njëri-tjetrit, Likoci zë një vend të veçantë në historinë e luftës së UÇK-së.
Në këtë zonë, kujtimet e luftës mbeten të lidhura ngushtë me historinë e Kosovës, ndërsa verdikti i 16 shtatorit pritet me vëmendje të veçantë nga banorët.
Për Kosovën, vendimi i Hagës pritet të jetë një moment i rëndësishëm, jo vetëm për katër ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre, por edhe për një shoqëri që prej vitesh e ka ndjekur këtë proces gjyqësor.





