Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot fshatin Varagë në Zubin Potok, vendin ku ndodhi shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit. Ky sulm, i cilësuar si akt terrorist, ka shkaktuar shqetësim për sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Në një deklaratë për mediat, Kurti theksoi se Policia e Kosovës ka kryer bastisje në banesa, duke arrestuar disa persona dhe duke sekuestruar dëshmi dhe prova materiale. Ai garantoi se të gjithë të përfshirët do të përballen me drejtësinë dhe ligjin e Republikës së Kosovës:
“Policia po i zhvillon hetimet, ka bastisje dhe arrestime, dëshmi e prova materiale, dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë dhe ligjin e Republikës Demokratike të Kosovës.”
Kreu i qeverisë falënderoi policët, inxhinierët dhe ekspertët për punën e tyre të palodhur në përballimin e pasojave të këtij sulmi. Ai njoftoi se është bërë një sanim i pjesshëm i dëmeve, duke arritur në rikthimin e mbi çerekut të prurjeve të ujit në kanal, i cili është jetik për furnizimin me ujë dhe ftohjen e termocentraleve.
“Kemi arritur që deri diku ta sanojmë dëmin. Jemi diku diç më shumë se çereku i prurjeve të ujit të kanalit, që e bën edhe ftohjen e elektranave dhe furnizimin me ujë.”
Kurti përfundoi duke riafirmuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të siguruar drejtësi dhe për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen. Vizita e tij shpreh një mesazh të qartë se institucionet e vendit janë të vendosura për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës.






