Kërcimi i Tropojës, një traditë kulturore e pasur që ka ruajtur vitalitetin e saj ndër shekuj, u bë pjesë zyrtare e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO më 3 dhjetor. Ky vallëzim festiv, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive.
Gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ky lajm i rëndësishëm u festua nga të gjithë deputetët, të cilët, pa përjashtim, duartrokitën për të shprehur respektin për këtë arritje që promovon pasurinë kulturore shqiptare në skenën ndërkombëtare.






