8.5 C
Tiranë
Monday, December 23, 2024
spot_img

“Jam një adhurues i yti”,Kryeministri Rama interviston skiatoren Lara Colturi në podkastin “Flasim”

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bisedë të ngrohtë dhe miqësore me skiatoren italiane Lara Colturi në podkastin e tij “Flasim”. Sportistja 18-vjeçare, e cila përfaqëson Shqipërinë prej tre vitesh në garat ndërkombëtare të skive, u vlerësua nga kreu i qeverisë si një ambasadore e jashtëzakonshme e sportit shqiptar.

Gjatë intervistës, Kryeministri Rama e ftoi skiatoren të vizitojë dhe të stërvitet në malet shqiptare, duke theksuar bukurinë dhe potencialin e tyre për sportet dimërore.
“Por duhet të flasësh me ato male e t’i dëgjosh ato, sepse kemi male shumë të bukura. Pastaj, tashmë është vendi yt,” tha Rama.

Nga ana e saj, Lara Colturi u shpreh e entuziazmuar për të kaluar më shumë kohë në Shqipëri dhe për të eksploruar mundësitë që ofron vendi për skiatorët profesionistë.

Në një moment humoristik, Rama u shpreh se Colturi nuk do t’i shpëtojë dot “gradës së gjenerales apo koloneles” në ushtrinë shqiptare si një kampione e padiskutueshme.
“Kjo do të ndjekë për gjithë jetën,” tha ai me buzëqeshje, duke i uruar suksese të mëtejshme në karrierën e saj sportive.

Colturi falënderoi Kryeministrin për mbështetjen dhe u shpreh se është e emocionuar për të vazhduar rrugëtimin e saj nën flamurin shqiptar.

Në përmbyllje të intervistës, Edi Rama i shprehu Lara Colturit urimet më të mira:
“Jam i lumtur që të kisha këtu dhe jam një adhurues i yti. Uroj të arrish të gjitha majat e botës. Të presim të kalosh pushimet në vendin tënd të dytë.”

Biseda mes tyre shënoi një moment pozitiv, duke reflektuar lidhjen e fortë të sportistes me Shqipërinë dhe mbështetjen institucionale për talentet ndërkombëtare që përfaqësojnë vendin në arenën globale.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT