1.5 C
Tiranë
Thursday, January 16, 2025
spot_img

Tensionet dhe përçarjet brenda Partisë Demokratike:”Lufta e brendshme po dëmton imazhin”

Tensionet brenda Partisë Demokratike kanë arritur kulmin këtë javë, duke zbuluar përçarjet e thella mes drejtuesve dhe deputetëve të saj. Në qendër të debatit janë Luan Baçi, Agron Shehaj, Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët kanë ndezur një sërë polemikash që po tronditin opozitën në një moment kritik për të. Gjithçka nisi pas një përplasjeje në foltoren e Kuvendit, ku Agron Shehaj, në një akt sfidues, bllokoi foltoren për më shumë se një orë, duke kërkuar interpelancë me ministren Balluku. Ndërsa shumica e deputetëve të PD-së, përfshirë Flamur Nokën, e akuzuan Shehajn si “patericë të mazhorancës”, deputeti demokrat, Luan Baçi doli hapur në mbështetje të tij.

Në një intervistë televizive, Baçi e cilësoi dje veprimin e Shehajt si një akt të mirëfilltë opozitar, duke theksuar se çdo deputet ka të drejtën të ndjekë mënyrat e veta për të kundërshtuar qeverinë. “Opozita nuk mund të imponohet me zor,” u shpreh ai, duke vënë në pikëpyetje unitetin e axhendës së PD-së. Ndërkohë, një tjetër episod ka ndezur polemika të reja. Gjatë një proteste, deputeti Agron Gjekmarkaj pësoi një gjendje të fikëti dhe përfundoi në spital. Pamjet e tij të shtrirë u bënë objekt memes në rrjetet sociale, por ajo që habiti ishte se një nga memet më ironike u shpërnda nga kolegu i tij, Xhelal Mziu.

Në meme, Gjekmarkaj ironizohej si një njeri “pa shtyllë kurrizore”, një akuzë që shumë e lidhën me pozicionet e tij të luhatura brenda partisë. Postimi i Mziut në Instagram u fshi shpejt, por jo para se të shkaktonte reagime të forta. Mirëpo ky incident ka thelluar edhe më tej përçarjen mes demokratëve, duke nxjerrë në pah mungesën e një strategjie të unifikuar përballë zgjedhjeve të ardhshme. Përplasjet mes Nokës, Shehajt, Baçit dhe Mziut tregojnë se tensionet nuk janë thjesht personale, por lidhen me një luftë të brendshme për pushtet dhe influencë brenda PD-së.

Edhe pse drejtuesit e PD-së përpiqen ta mbulojnë këtë krizë, realiteti është i qartë: lufta e brendshme po dëmton imazhin dhe efektivitetin e opozitës. Kështu që në një moment kur shqiptarët presin alternativa të qarta dhe të forta, Partia Demokratike duket se është më e fokusuar në konfliktet e saj të brendshme sesa në përballjen me qeverinë. Megjithatë një gjë është e sigurt, se, përçarjet e sotme mund të kenë pasoja të rënda për të ardhmen e PD-së dhe të opozitës shqiptare në tërësi.

Qëndrimi i Baçit

Konkretisht deputeti i PD, Luan Baçi ka dalë në krah të deputetit Agron Shehaj dhe kundër demokratit Flamur Noka në lidhje me konfliktin fizik në foltoren e Kuvendit. Në seancën e fundit dy deputetët u përfshinë në një përplasje pasi Shehaj bllokoi për më shumë se një orë foltoren e Kuvendit. Në një intervistë televizive, Luan Baçi e vlerësoi kërkesën e Shehajt për interpelancë, duke e cilësuar atë si një veprim opozitar. Ai theksoi se në opozitë ka pasur gjithnjë elementë që kanë pasur mënyrat e tyre të të bërit opozitë, por këta të fundit nuk mund të “merren me zor” dhe “t’u imponohet axhenda” e PD. “Shumë mirë bëri Shehaj që kërkoi interpelancë me Ballukun. Kjo ishte opozitë. Ai bën opozitë në mënyrën e tij. Ka opozitarë që kanë mënyrat e tyre dhe ne nuk mund të marrim me zor të imponojmë axhendën tonë opozitare,”- u shpreh Baçi në një intervistë televizive.

Kujtojmë se deputeti Shehaj prej disa orësh protestoi në sallën e Kuvendit, ku mbajti të bllokuar foltoren duke mos lejuar të mbajnë fjalën as deputetët socialistë dhe as ata demokratë. Pavarësisht se ish-kolegët demokratë i kërkuan Shehajt që të largohej nga Foltorja, ai sërish nuk pranoi që ta lironte edhe pas masës së “përjashtimit nga seanca” e cila iu komunikua më herët nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spriopali. Madje ish-kolegët e akuzuan se është bërë “patericë” e mazhorancës.

Reagimi i Mziut

Nga ana tjetër përçarja brenda Partisë Demokratike ka krijuar plagë të thella, të cilat as përpjekjet e vona për bashkim nuk po i shërojnë dot. Kjo situatë vërehet edhe në prag të zgjedhjeve, ku shpesh lindin pikëpyetje nëse në listat e sigurta do të jenë ata që i qëndruan besnik Sali Berishës, apo të tjerët që, pasi e kritikuan, u kthyen sërish në radhët e tij. Edhe pse publikisht përfaqësuesit e PD-së përpiqen ta fshehin këtë përplasje, në realitet duket se “lufta e ftohtë” brenda partisë ekziston. Një shenjë e kësaj situate mund të jetë edhe postimi i fundit i deputetit Xhelal Mziu. Gjatë protestës së kësaj të hëne, deputeti Agron Gjekmarkaj pësoi gjendje të fikëti dhe përfundoi në spital. Në rrjetet sociale qarkulluan foto ku ai shihej i shtrirë, duke marrë ndihmë mjekësore, me Sali Berishën dhe mjekun pranë tij. Këto pamje u përdorën nga faqet satirike për të krijuar një meme ironike, ku mjeku i drejtohej Berishës me fjalët: “Është me fat që është gjallë, doktor, duke marrë parasysh që s’ka shtyllë kurrizore.” E habitshme është se kolegu i tij, Xhelal Mziu, e ka postuar këtë meme në profilin e tij në Instagram, të cilën më pas e fshiu, pasi reagimi i tij (lajmi) mori dhënë. Nuk është e qartë nëse postimi është bërë nga vetë ai apo nga stafi i tij, por duket se mes drejtuesve të PD-së ka ende tensione dhe mospëlqime. Në këtë rast, shprehja popullore “i joti ta fut sot” duket se është mëse e përshtatshme.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT