Një grup hajdutësh ka kryer një grabitje spektakolare në Muzeun Drents në Assen, Holandë, duke përdorur eksplozivë për të hyrë dhe vjedhur katër artefakte të lashta, përfshirë Helmetën e Cotofenesti, një objekt historik rreth 2500-vjeçar. Grabitja ndodhi në orët e para të së shtunës dhe ka shkaktuar tronditje të madhe në botën e artit dhe kulturës.
Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur hajdutët shpërthyen derën e jashtme dhe hyjnë në muze. Ata arritën të vjedhin tre byzylykë të artë nga shekulli i parë para erës sonë dhe Helmetën e Cotofenesti, një artefakt i çmuar që ishte huazuar nga Muzeu Kombëtar i Historisë së Rumanisë në Bukuresht. Artefaktet ishin pjesë e ekspozitës “Dacia: Perandoria e Artë dhe e Argjendtë”, e cila prezantonte thesare nga Dakët, një shoqëri e lashtë që ka jetuar në territorin e sotëm të Rumanisë dhe Ilirisë.
Helmeta, një nga objekte më të rëndësishme, ishte zbuluar një shekull më parë në një fshat rumun dhe konsiderohej një “kryevepër” për shkak të dizajnit të saj mitologjik dhe dekoratave që mbrojnë mbajtësin nga “syri i keq.”
Policia holandeze ka nisur hetimet dhe është në bashkëpunim me Interpolin. Deri të dielën, ata kishin marrë mbi 50 informacione dhe janë duke hetuar një makinë gri të vjedhur në Alkmaar, e cila u gjet e djegur pranë vendit të krimit. Autorët e krimit dyshohet se kanë përdorur një makinë tjetër për t’u larguar.
Drejtori i Muzeut Drents, Harry Tupan, e cilësoi këtë ngjarje si një “ditë të errët” për institucionin dhe për Muzeun Kombëtar të Rumanisë, duke shprehur trishtimin dhe shqetësimin e thellë për humbjen e këtyre artefakteve të paçmueshme.






