Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian–Shqipëri (SAPC) zhvilloi më 21 shtator në Tiranë takimin e tij të 22-të, të bashkëdrejtuar nga eurodeputeti Marco Tarquinio dhe Taulant Balla, në emër të delegacioneve të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Në takim u diskutua për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ekonominë, turizmin, zhvillimin e qëndrueshëm, të drejtat themelore, lirinë e medias dhe bashkëpunimin rajonal.
Në deklaratën e përbashkët, anëtarët e të dy delegacioneve përshëndetën angazhimin politik të Shqipërisë për anëtarësimin në BE, hapjen e negociatave për të gjashtë grupkapitujt e acquis-së së BE-së, si dhe mbylljen e përkohshme të tre kapitujve negociues.
Komiteti vlerësoi ambicien e Shqipërisë për të vijuar negociatat e anëtarësimit me ritëm, me synimin strategjik për përfundimin e tyre deri në fund të vitit 2027.
Reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua reformës në drejtësi. Në deklaratë theksohet rëndësia e vijimit të reformës, plotësimit të vendeve vakante në sistemin gjyqësor dhe reduktimit të numrit të çështjeve të prapambetura.
Anëtarët e Komitetit nënvizuan gjithashtu nevojën për shmangien e ndërhyrjeve politike në emërimet dhe ngritjet në detyrë në sistemin gjyqësor, me qëllim garantimin e një gjyqësori të pavarur dhe efikas.
Në fokus ishte edhe lufta kundër korrupsionit. Komiteti diskutoi rezultatet e strukturave të posaçme kundër korrupsionit, përfshirë SPAK-un, dhe bëri thirrje për ruajtjen e pavarësisë së tyre.
Liria e medias dhe turizmi
Sa i përket medias, palët ranë dakord për nevojën e vijimit të përpjekjeve për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik, si dhe për mbrojtjen e gazetarëve nga presionet politike dhe ekonomike.
Turizmi dhe mbrojtja e mjedisit ishin gjithashtu pjesë e diskutimeve. Gjatë vizitës në Vlorë dhe Zvërnec u vlerësua zhvillimi i sektorit të turizmit, ndërsa u theksua detyrimi i Shqipërisë për të vijuar përafrimin e legjislacionit mjedisor me acquis-në e BE-së, veçanërisht sa i përket zonave të mbrojtura.
Në deklaratë u vlerësua edhe roli i Shqipërisë në stabilitetin rajonal dhe angazhimi i saj në nismat e bashkëpunimit rajonal, përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Procesin e Berlinit.
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri do ta zhvillojë takimin e radhës, atë të 23-të, në Parlamentin Evropian gjatë pranverës së vitit të ardhshëm.





