Detaje të reja dalin nga operacioni i SPAK në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t. Me vendim të GJKKO-së, ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, së bashku me pezullimin nga detyra.
Ndërkohë, në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, janë zhvilluar kontrolle. Proda është paraqitur gjithashtu në SPAK, ku është marrë në pyetje.
Në fokus të hetimit janë materiale të klasifikuara si sekret, të cilat dyshohet se kanë dalë nga SHISH dhe janë gjetur gjatë kontrolleve të kryera pas arrestimit të biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku, i njohur si person i afërt me Prodën.
Sipas të dhënave të bëra publike, Vlora Hyseni dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Masa e sigurisë ndaj Hysenit ende nuk është ekzekutuar, pasi, sipas të dhënave të publikuara, ajo ndodhet jashtë vendit.
Paralelisht, kontrolle janë kryer edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë të Policisë dhe SHISH-it.
Operacioni i SPAK vjen pas arrestimit të Ergys Agasit më 26 gusht, pas disa muajsh në arrati, në kuadër të hetimeve për abuzime me tenderat dhe zhvillimeve të mëtejshme që, sipas hetimit, kanë nxjerrë në pah lidhje të reja në dosjen e SPAK.





