11.5 C
Tiranë
Tuesday, November 26, 2024
spot_img

Në vitin 2020, të ardhurat nga burimet e veta vendore të bashkive në rënie me 5.3% krahasuar me me nivelin e mbledhur një vit më parë

Në vitin 2020, bashkitë u gjendën të papërgatitura për një emergjencë të këtij lloji dhe përmase, çka preku ndjeshëm financat e tyre. Në kahun e të ardhurave, 61 bashkitë në vend vlerësohet të kenë pasur më shumë mjete financiare në dispozicion për të ushtruar funksionet dhe kompetencat për të cilat ato janë përgjegjëse, vlerësohet në Raportin e Financave Publike Vendore 2020, një publikim i Co-plan.

Megjithatë, përballimi në terma financiarë i efekteve të pandemisë duket të jetë mbuluar me fonde, të cilat u transferuan nga qeveria qendrore në trajtën e transfertave ndërqeveritare (transferta të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara). Në të kundërt, të ardhurat e mbledhura nga burimet e veta vendore vlerësohet të jenë ndikuar negativisht në vijim të fatkeqësive natyrore, duke shënuar rënie vjetore.

Ndër faktorët që mund të kenë çuar në rënien e të ardhurave nga burimet e veta vendore mund të renditen: përkeqësimi i gjendjes financiare të bizneseve dhe të familjeve që mund të ketë përcaktuar mospagesa, hyrja e masave fiskale lehtësuese për kategoritë në nevojë, zhvendosja në kohë e pagesave për detyrimet vendore etj.

Nevojat për shpenzime në vitin 2020 u intensifikuan ndjeshëm në tre drejtime: përshtatja në mënyrën e ofrimit të shërbimeve nën kushtet e kufizimeve të vendosura prej COVID-19, mbështetjes së menjëhershme të shtresave në nevojë me produkte dhe shërbime bazike, përshtatja e burimeve njerëzore nën varësinë e bashkisë, me një mënyrë të re të punuari. Për pasojë, shpenzimet korrente vijuan të rriten në terma vjetorë dhe gërshëra u vendos tek investimet.

Bashkitë i sigurojnë burimet e veta në dispozicion nga dy drejtime. Së pari, të ardhurat e veta, kryesisht nga taksat dhe tarifat dhe së dyti, nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara që merr nga qeveria. Sipas raportit të Financave Publike Vendore, në fund të vitit 2020, të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 26.6% të burimeve financiare totale, vlerë kjo lehtësisht nën mesataren afatgjatë (prej rreth 26.8%).

Në terma nominalë, 61 bashkitë në vend mblodhën rreth 24.2 miliardë lekë në vitin 2020, në rënie me rreth 5.3% krahasuar me nivelin e mbledhur në vitin 2019. Sipas raportit, në terma historikë, ky është frenimi i parë i shënuar në të ardhurat nga burimet e veta vendore që prej vitit 2016. Përjashtuar Bashkinë e Tiranës (e cila përfaqëson rreth 57.7% të të ardhurave nga burimet e veta vendore të vitit 2020), rënia e shënuar në të ardhurat nga burimet e veta vendore të 60 bashkive thellohet më tej, në rreth 12.2% në terma vjetorë.

Varësi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë

Raporti vlerëson se, ndonëse në terma të përgjithshëm, të ardhurat nga taksat vendore rezultojnë të kenë shënuar zhvillime pozitive, një vështrim i hollësishëm mbi elementet përbërëse nxjerr në pah dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash. Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elemente: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall).

Ndërkohë që pesha e kësaj të fundit është tkurrur, pesha e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtime të reja është rritur me ritme të përshpejtuara. Në vitin 2020, këto dy lloje taksash përfaqësuan 85.7% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan tkurrjen edhe në vitin 2020.

Të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, sipas raportit, vazhdojnë të përfaqësojnë një burim të rëndësishëm në buxhetin vendor. Në vitin 2020, të ardhurat nga kjo taksë përfaqësuan rreth 52.2% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore, rreth 32.8% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta vendore dhe u vlerësuan në rreth 0.5% të PBB-së nominale.

Zgjerimi i peshës së këtij zëri në buxhetet vendore vlerësohet të jetë ndikuar ndjeshëm nga zbatimi i PPV-ve nëpërmjet lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja, veçanërisht në tre vitet e fundit: në vitin 2018, u dhanë 1,194 leje, në vitin 2019, rreth 1,094 leje, dhe për gjashtë muajt e parë të vitit 2020 ishin 393 leje.

Zbatimi i Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV) nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ndikon pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime, si në zhvillim fillestar, ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme.

Pas një rritje me ritme dyshifrore, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja shënuan një nivel prej rreth 7.9 miliardë lekësh, në rënie me rreth 6.1% në terma vjetorë, ose rreth 514 milionë lekë më pak krahasuar me vitin e mëparshëm.

Tirana kryeson në mbledhjen e kësaj takse. Përjashtuar të ardhurat e arkëtuara nga Bashkia e Tiranës, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 1.5 miliardë lekë nga TNI, me rënie të theksuar në terma vjetorë me rreth 30%.

Bashkia e Tiranës, 44% të të ardhurave të veta nga taksa e ndërtimit

Pavarësisht krizës së pandemisë, Bashkia e Tiranës ka arritur të ruajë të njëjtin nivel të ardhurash nga taksat e tarifat në 2020-n.

Të ardhurat totale që bashkia më e madhe në vend siguron nga burimet e veta ishin 14.5 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 1.3 me bazë vjetore, sipas buxheteve të detajuara, të publikuara nga Co Plan.

Së bashku me transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, Bashkia e Tiranës kishte në dispozicion në 2020-n rreth 22.4 miliardë lekë, ose 180 milionë euro, pothuajse i njëjti nivel sa viti i mëparshëm. Nga transfertat, kryeqyteti siguron 35% të burimeve të veta, duke pasur varësinë më të ulët në krahasim me Bashkitë e tjera, ku kjo peshë e kalon 70%.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë është kthyer vitet e fundit në burimin kryesor të sigurimit të fondeve për kryeqytetin dhe vijoi rritjen e lehtë (+2.4%) edhe në 2020-n. Kjo taksë, që është e lidhur direkt me ecurinë e lejeve të ndërtimit, solli 44% të të ardhurave që Bashkia mbledh nga taksat dhe tarifat dhe 28.4% të totalit të buxhetit të saj (përfshirë transfertat), duke arritur një nivel rekord të varësisë nga kjo taksë. Në 2015-n, kjo taksë sillte vetëm 11.6% të të ardhurave të veta të bashkisë dhe 6.4% të totalit.

Në total, në vitin e pandemisë, bashkia mblodhi nga dhënia e lejeve të ndërtimit 6.4 miliardë lekë, ose rreth 51 milionë euro, që u korrespondon ndërtimeve me vlerë rreth 637 milionë euro (taksa e ndikimit në infrastrukturë është sa 8% e vlerës së shitjes).

Tarifat e pastrimit dhe gjelbërimit është zëri i dytë që solli më shumë të ardhura në kryeqytet, me 13.5% të fondeve të veta. Ndonëse në një vit pandemie, u mblodhën 9.6% më shumë se një vit më parë.

Nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme u siguruan 13.4% e fondeve të veta të bashkisë, me një rritje të lehtë prej 4.4%. Formula e re e taksës së pronës nuk ka arritur ende të japë efekte.

Nga pandemia, rënien më të madhe e shënuan taksa e hotelit (-68%), tarifa e zënies së hapësirës (-27.6%) dhe taksa e tabelës (-9.8%). Në lidhje me shpenzimet, pagat e personelit përbënin gati 24% të totalit, nga 22.2% që ishte kjo peshë një vit më parë, për shkak të rritjes së fondit përkatës me 5.4%.

Në të kundërt, shpenzimet kapitale rezultuan me rënie të ndjeshme prej 22.5%, të ndikuara nga ulja e investimeve në infrastrukturë e transport. Në total, 29% e buxhetit shkoi për shpenzimet kapitale në 2020-n, në ulje të ndjeshme nga 37% që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm.

Durrësi, fondet përqendrohen te pasojat e tërmetit

Bashkia e Durrësit ishte një nga më të prekurat nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, pasojat e të cilit u ndien gjatë gjithë 2020-s, krahas pandemisë që i dha goditjen e dytë bizneseve të qytetit.

Situata u reflektua dhe në performancën e dobët të të ardhurave të veta të bashkisë nga taksat dhe tarifat, që u tkurrën me 26%, duke zbritur në 835 milionë lekë. Ecurinë më negative e shënuan Taksa e hotelit (-76%), Taksa mbi pasurinë e paluajtshme (-29%), Taksa e ndikimit në infrastrukturë (-25%), Tarifat e pastrimit dhe gjelbërimit (-32%).

Taksa e ndikimit në infrastrukturë vijoi të zërë peshën më të madhe të të ardhurave të veta të Bashkisë së Durrësit, me 23% të totalit, e ndjekur nga Taksa mbi pasurinë e paluajtshme, me 21.7%.

Në total, Bashkia e Durrësit kishte në dispozicion 5.2 miliardë lekë në 2020-n (42 milionë euro), me rritje 27%, e cila u ndikua tërësisht nga transfertat e kushtëzuara, që u dhanë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave për subvencionimin e qirave për banorët që mbetën të pastrehë nga tërmeti.

Ky zë arriti në 1.2 miliardë lekë (gati 10 milionë euro), duke përbërë 23% të të ardhurave totale të bashkisë në 2020-n. Transfertat e qeverisë përbënë 78% të burimeve totale të të ardhurave të Bashkisë së Durrësit në 2020-n, nga 66% që ishte kjo peshë një vit më parë, e ndikuar nga fondet që u dhanë nga qeveria për përballimin e pasojave të tërmetit.

Bashkitë e tjera

Elbasani

Elbasani është Bashkia e tretë më e madhe në vend për të ardhurat, me 4.2 miliardë lekë në total, me zgjerim vjetor prej 12%, i ndikuar nga rritja e transfertave të kushtëzuara nga qeveria (Ministria e Shëndetësisë). Transfertat e kushtëzuara përbënin 80% të buxhetit total të Bashkisë së Elbasanit.

Nga taksat dhe tarifat, kjo bashki mblodhi 690 milionë lekë, me tkurrje 6.2% me bazë vjetore, nga rënia e të ardhurave nga taksa e hapësirës dhe pastrim-gjelbërimit, si dhe nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Fieri

Të ardhurat totale të Bashkisë së Fierit ishin 2.9 miliardë lekë në 2020-n, nga të cilat 75% vijnë nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara të qeverisë. Nga taksat dhe tarifat, Fieri mblodhi 587 milionë lekë, me tkurrje 9.8% me bazë vjetore, e ndikuar kryesisht nga ecuria negative e tarifave të pastrimit dhe gjelbërimit dhe taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Taksa mbir pasurinë e paluajtshme është burimi kryesor i të ardhurave të veta të Bashkisë së Fierit, me 36% të totalit.

Shkodra

Të ardhurat totale të Bashkisë së Shkodrës ishin 2.97 miliardë lekë në 2020-n, nga të cilat 78% vijnë nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara të qeverisë.

Nga taksat dhe tarifat, Shkodra mblodhi 528 milionë lekë, me tkurrje 8.3% me bazë vjetore, ndikuar kryesisht nga ecuria negative e tarifave të pastrimit dhe gjelbërimit dhe taksa mbi pasuritë e paluajtshme.

Kjo e fundit sjell 36% të të ardhurave të veta të Bashkisë. Tarifat e pastrimit dhe gjelbërimit është burimi kryesor i të ardhurave të veta të Bashkisë së Shkodrës, me 38% të totalit.

Vlora

Të ardhurat totale të Bashkisë së Vlorës ishin 2.7 miliardë lekë në 2020-n, nga të cilat 71% vijnë nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara të qeverisë. Nga taksat dhe tarifat, Vlora mblodhi 612 milionë lekë, me rritje 6% me bazë vjetore, duke qenë ndër të paktat që ka rritur burimet e veta nga taksat e tarifat gjatë vitit të pandemisë.

Ecuria e mirë u ndikua nga taksa e ndikimit të infrastrukturë, (me trefishim) e lidhur me interesin e lartë për investime në pasuri të paluajtshme në qytetin bregdetar. Taksa mbi pasurinë e paluajtshme është burimi kryesor i të ardhurave të veta të Bashkisë së Vlorës, me 32% të totalit.

Korça

Të ardhurat totale të Bashkisë së Korçës ishin 2 miliardë lekë në 2020-n, nga të cilat 71% vijnë nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara të qeverisë. Nga taksat dhe tarifat, Korça mblodhi 511 milionë lekë, me tkurrje 18% me bazë vjetore, ndikuar kryesisht nga ecuria negative e tarifave të pastrimit dhe gjelbërimit dhe taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Tarifat e pastrimit dhe gjelbërimit është burimi kryesor i të ardhurave të veta të Bashkisë së Korçës, me 40% të totalit./Monitor

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT