Bolzano, Itali – Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali pasditen e djeshme, ku 59-vjeçari Gëzim Iljazi, me banim në provincën e Rovigos, humbi jetën tragjikisht pasi u rrëzua nga një lartësi prej rreth 100 metrash gjatë një ecjeje në mal.
Ngjarja ndodhi në një zonë të njohur turistike pranë ujëvarave të Stulles, në provincën veriore të Bolzanos. Iljazi po ngjiste i vetëm një nga shtigjet malore kur, sipas dëshmive të para të kalimtarëve, fillimisht u pa të binte çanta e tij, dhe më pas ai vetë rrëshqiti nga shkëmbinjtë.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën forcat e policisë, karabinierët, ekipet alpine të shpëtimit si dhe një helikopter. Pavarësisht përpjekjeve të shumta dhe ndërhyrjes së shpejtë, 59-vjeçari shqiptar kishte ndërruar jetë në vend, si pasojë e plagëve të rënda.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa komuniteti shqiptar në Rovigo dhe më gjerë ka shprehur tronditjen dhe dhimbjen për këtë humbje tragjike.
Gëzim Iljazi përshkruhet nga njohësit si një njeri punëtor, i qetë dhe i dashur, ndërsa humbja e tij ka lënë një boshllëk të madh te të afërmit dhe miqtë e tij.






