TIRANË – Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ashpër deputetit britanik Nigel Farage, pas një postimi të këtij të fundit në rrjetin “X”, ku pretendonte se “1 në 48 shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar është në burg”, dhe kërkonte që ata të deportohen në Shqipëri.
Në një reagim të gjatë, me tone ironike por edhe të drejtpërdrejta, Rama e akuzon Farage për shtrembërim të realitetit dhe përdorim të shqiptarëve si “karburant politik” për agjendat e tij pas Brexit-it.
“Ti ke humbur, i dashur Nigel”, shkruan Rama, duke theksuar se Farage gabon rëndë me të dhënat. “Shifrat nuk janë pika jote e fortë. Shqiptarët në Britani nuk janë 53 mijë, siç thua ti. Janë shumë më tepër – dhe për këtë e ka thënë vetë edhe ‘The Telegraph’, burimi yt,” shton ai.
Në përgjigjen e tij, Rama përdor edhe një proverbë latine që ia kujtonte gjyshja: “Errare humanum est, sed perseverare diabolicum” – “Të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore” – duke akuzuar Farage se nuk ka më justifikime për të përhapur narrativa të rreme.
Kreu i qeverisë shqiptare rikujton se shqiptarët në Britani janë shumë më tepër se një statistikë. Ata janë “studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, sipërmarrës dhe partnerë”, ndërsa vendi i tij ka bashkëpunuar ngushtë me autoritetet britanike për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar.
Në fund, Rama e fton sërish Farage në Shqipëri, “për shumë diell, mikpritje të ngrohtë dhe fakte të vërteta” – por me një mesazh të qartë: “Shqiptarët nuk janë dekor për teatrin tuaj politik.”
Përplasja mes Ramës dhe Farage vjen në një kohë të ndjeshme për marrëdhëniet e emigracionit mes Tiranës dhe Londrës, në sfondin e marrëveshjeve të nënshkruara për kthimin e shtetasve shqiptarë që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe.






