Reperi dhe producenti i njohur amerikan, Sean “Diddy” Combs, është shpallur fajtor vetëm për akuzën e prostitucionit, në përfundim të një gjyqi të bujshëm shtatë-javor. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore, rrëmbimin dhe shantazhin.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorët, Combs, 55 vjeç, u hetua për një sërë krimesh të rënda, duke përfshirë abuzim seksual ndaj tre viktimave të dyshuara, ndër të cilat edhe këngëtarja dhe modelja Cassie Ventura, ish-partnerja e tij prej shumë vitesh.
Vendimi i jurisë e vë tashmë artistin në rrezik deri në 10 vjet burg, pasi u shpall fajtor për transportimin e eskortave meshkuj për seanca seksuale me ish-të dashurat e tij, të cilat përfshinin përdorim droge dhe dhunë psikologjike.
Pamjet filmike të këtyre seancave – të quajtura nga vetë Combs si “netët e egra të mbretit” – u prezantuan në gjyq, por u mbajtën të fshehta nga publiku dhe mediat për shkak të përmbajtjes së ndjeshme.
Në gjyq dëshmuan ish-punonjës, eskorta, personel hoteli, oficerë policie, si edhe dy nga viktimat, përfshirë Cassie, e cila ishte shtatzënë në atë kohë, dhe një tjetër grua që përdori pseudonimin “Jane”.
Të dyja deklaruan se ishin detyruar të merrnin pjesë në akte degraduese dhe abuzive, të shoqëruara me drogë dhe kërcënime. Gjyqi është konsideruar si një nga më tronditësit për industrinë muzikore në vitet e fundit.
Dënimi pritet të shpallet në javët në vijim.






